Tiranë, 12 Qershor 2010 NOA – “Ministria e Brendshme shpreh shqetësimin për agresionin e vazhdueshëm të Kryetarit të Partisë Socialiste Z. Edi Rama kundër procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë”. Pohimi u bë para pak minutash në një deklaratë të posaçme për media që u lëshua nga dikasteri që drejtohet nga Lulzim Basha.
Sipas MB, “sot z. Rama përdori median e shkruar për të thënë se nga brigjet shqiptare vijon trafiku i klandestinëve, kur këtë shpifje e mohuan sot kategorikisht autoritetet e vendit fqinj”.
Ministria e Brendshme informon opinionin publik se autoritetet italiane kanë konfirmuar se skafi me klandestinë i kapur dje, nuk ishte nisur nga brigjet shqiptare, por nga brigjet greke.
Për ministrinë e Brendshme, ky është vetëm një nga sulmet e Z. Rama për të baltosur arritjet më domethënëse të Shqipërisë që çuan në propozimin historik të Komisionit Europian për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.
“Ai tha se dokumentet e reja të identitetit janë të pasigurta, në një kohë kur shqiptarët e kanë provuar se ato shihen me respekt në të gjitha rrugëkalimet e Bashkimit Europian.
U tha autoriteteve europiane se shqiptarët pas heqjes së vizave do të vërshojnë të gjithë për të kërkuar punë nëpër Europë.
Indoktrinoi mediat për të thënë se shqiptarët vrasin gjykatësit e Europës nëse ata marrin vendim për t’i riatdhesuar, kur në të vërtetë agresori në Bruksel nuk ishte shqiptar”, - vijon deklarata e MB.
Sipas ministrisë, “z. Rama u përpoq çdo ditë të dekurajojë qytetarët shqiptarë duke thënë se nuk do të mund të plotësoheshin kriteret e kërkuara të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave”.
Për MB, “të gjitha këto fakte dëshmojnë se Z. Rama nuk dëshiron të hiqet muri Schengen për shqiptarët, se nuk dëshiron që shqiptarët të lëvizin të lirë në Europën e Bashkuar”.
Ndaj në këto kushte, Ministria e Brendshme i bën thirrje Z. Rama dhe Partisë Socialiste “të heqin dorë nga ky agresion ndaj heqjes së vizave, sepse po veprojnë kundër një interesi jetik dhe çështjeje dinjiteti të shqiptarëve”.
r.n/NOA