English

Peizazhe dhe “aromë gruaje” nga Pashk Përvathi

Tiranë, 12 Qershor, NOA /Milena Selimi - Pashk Përvathi është rishfaqur në Galerinë e Arteve me ekspozitën e tij të radhës, e cila na afron me peizazhet e vjeshtës së kuqe në Korçë dhe portretet e gruas.

Pashk Përvathi vjen para publikut artdashës me një ekspozitë në Galerinë e Arteve në Tiranë, ku spikatin gjashtëdhjetë portrete, peizazhe, natyra të qeta, të realizuara në vitet 2007-2010.

Tablotë e ekspozuara në sallën e Ekspozitave do të jenë të hapura për publikun deri më 30 qershor 2010.

Mendohet se këto punë janë ndërthurje e dy përvojave të mëparshme të Përvathit, të cilat ai i ka prezantuar më parë në GKA, njëra është ekspozita e vitit 1983 ku artisti prezanton lidhjen e tij me natyrën dhe ekspozita e vitit 2005, ku ai paraqiti punën 10-vjeçare të kompozimeve në studio.

Kësaj radhe veçohen peizazhet nga Korça dhe rrethinat e saj Vithkuqi, Drenova, Polena, Boboshtica në të katërta stinët, qyteti i lindjes së Përvathit, Lezha, rrugicat e Shkodrës, shtëpitë e Mangalemit në Berat dhe gjiret shkëmbore të bregdetit të Himarës.

Portretet ia ka kushtuar figurës së gruas cigane dhe gruas zadrimore, mirditore e veshur me veshjet karakteristike të zonës.

Pashk Përvathi llind më 1958 në Manati të Lezhës, qyteti ku jeton dhe punon edhe sot. Në vitin 1979 mori pjesë në një ekspozitë të përbashkët me peizazhin "Vjeshtë në Manati".

Ekspozita e parë vetjake në Galerinë e Arteve i takon vitit 1983.

Rivjen në vitin 2005 me ciklin e punimeve me varka, me kuaj dhe guralecë, të kompozuar në studio.

Ai ka drejtuar Galerinë e Arteve në Lezhë dhe për dhjetë vjet (1994-2004) ka qenë anëtar në Këshillin Kombëtar të Radio-Televizionit. Në vitin 2002 ka realizuar pikturat e Kishës së Re të Shën Palit në Detroit, SHBA.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE