English

Profil- Biznes/Sarandë: Papa, Dikur Emigrant, Sot Investitor Në Vendlindje

LUKOVË, 12 Qershor /ATSH-Telnis Skuqi/ - Vetëm pak vite më parë emigrant në Greqi, sot 37-vjecari Odise Papa administron një hotel familjar në fshatin e lindjes në Lukovë, rreth 15 kilometra larg Sarandës, ku jeton me bashkëshorten dhe dy fëmijët. Për të arritur deri tek ky investim, i janë dashur shtatë vjet, por gjithçka e ka ngritur, siç thotë vetë, "me sakrificë". "Në vitin 1997 u diplomova në Universitetin e Gjirokastrës në degën histori-gjeografi. Një muaj më pas u largova në Greqi ku punova në ndërtim", rrëfen Papa. Papa tregon se jeta si emigrant ishte e vështirë, por të ardhurat ishin të kënaqshme. "Në fillim të vitit 2003, nisa të ndërtoj nga pak godinën katërkatëshe në një terren të vështirë. Vetëm themelet më kanë kushtuar sa dykatet e sipërme, megjithatë projekti po merrte jetë", tregon ai, duke nënvizuar se çdo vit ka ngritur nga një kat. Papa rrëfen se disa vite më parë, kur hoteli familjar sapo kishte nisur funksionimin dhe ai sapo ishte martuar, pësoi një aksident rrugor në Greqi, por fati ishte me të. "Zoti më ktheu në jetë. Fraktura kudo në trup, një këmbë të thyer, por mendjen e kisha të shëndoshë", pohon Papa, që shton se "pavarësisht problemeve shëndetësore, asnjëherë nuk u tërhoqa nga ideja ime", duke treguar këmbënguljen për të ndërtuar hotelin. "Brigjet e Lukovës janë të virgjëra, por shërbimi ndaj pushueseve linte për të dëshiruar disa vite më parë", mendon. Sipas tij, çdo pushues vendas apo i huaj që zgjedh hotelin e tij, pothuajse gjërat i ka gati, duke filluar nga ushqimi deri tek supermarket. "Afro 80 përqind e pushuesve dëshirojnë t'i gatuajnë vetë prodhimet vendase, ndërsa pjesa tjetër preferon kuzhinën tradicionale, buzë detit", pohon Papa. Odise Papa siguron se në sezonin e verës prodhimet janë BOI dhe çmimet të ulëta, për shkak të konkurrencës. "Në zonën e bregdetit prodhimet bujqësore dhe blegtorale janë cilësore, por peshku preferohet më shumë", siguron ai, duke nënvizuar se frutat dhe zarzavatet "nuk goditen me gurë" nga pushuesit. Papa thekson se në përgjithësi, në Lukovë pushuesit preferojnë qetësinë, bregdetin dhe natyrën. "Gjelbërimi dhe bregdeti janë në harmoni të plot. Perëndimi i diellit është një premirë që shfaqet çdo mbrëmje në horizont", tregon ai, ndërsa mendon se vitet e fundit turizmi bregdetar në jug të vendit ka ndryshuar mënyrën e shërbimit ndaj pushuesve në sensin pozitiv. Sipas tij, hotelet dhe banesat nga thjeshtë godina fjetoreje, po kthehen në objekte turistike me të gjitha ç'ka duhen për njëç turizëm familjar edhe për pushuesit që vijnë në Lukovë. "Pushuesit nuk i marrin më me vete enët e kuzhinës, apo pajisje të tjera të nevojshme. Tashmë banorët e kanë kuptuar se turizmi familjar sjell të ardhura, por kërkon edhe përkushtim", thotë Papa, që shton se disa vite më parë ky lloj turizmi ishte diçka e pa perceptueshme për banorët. "Në qoftë se nuk hedhim valle siç duhet, atëherë dikush tjetër do bëjë këtë", pohon Papa./ch/
KOMENTE