Tiranë, 12 Qershor NOA – Në 19 vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, verën e vitit 1991, e kryesuar nga lideri historik i kësaj partie Fatos Nano, lideri aktual i socialistëve, Edi Rama deklaroi sot në mesditë përpara gazetarëve dhe mbarë publikut që përkrah idetë socialiste, se pas kaq vitesh PS ndodhet tashmë në një moment vendimtar, në sfidën më të madhe, atë të transparencës dhe çrrënjosjes së krizës.
Duke e cilësuar të 19-in përvjetor të Partisë Socialiste si përvjetorin e betëjës historike të çlirimit të zgjedhjeve nga korrupsioni përmes transparencës, ai e quajti këtë betejë po aq të madhe sa edhe ëndrrën e Shqipërisë Europiane.
“Ndjehem krenar që më takoi mua udhëheqja e kësaj partie gjatë kësaj periudhe, pikërisht në një moment kaq dramatik për drejtësinë dhe ekonominë shqiptare, kaq vendimtar për të nesërmen e Shqipërisë”, deklaroi Rama.
Duke shprehur mirënjohjen për të gjithë socialistët shqiptarë, që kontribuan për ta forcuar Partinë Socialiste, si alternativën e vetme të shqiptarëve për një qeverisje të ngritur mbi një moral të ri e mbi politika të reja që do të zgjidhin problemet e vjetra të këtij vendi, Edi Rama rishtas nënvizoi vendosmërinë e popullit opozitar ndaj pushtetit të Berishë, ku populli dhe deputetët e Partisë Socialiste, u bashkuan përmes një greve urie që dëshmoi tek të gjithë, forcën e idealizmit e të përkatësisë së socialistëve dhe ideve progresiste të tyre për zhvillimin e vendit.
“Sfida që kemi është e madhe, rruga e mbetur drejt fitores e vështirë, problemet e këtij vendi të rënda, përditë e më të rënda, por besimi, idetë, dijet, vullneti e ambicia jonë për Shqipërinë janë të atilla që çdo vështirësi do ta kapërcejmë, çdo problem do ta trajtojmë si duhet dhe sfidën do ta fitojmë të gjithë së bashku’, tha Rama në këtë konferencë.
Rama preku rishtas rëndimin serioz siç e quajti ai të ekonomisë, në kushtet kur qeveria e ka arkën bosh dhe tentativa e eurobondit duket e dështuar.
“Jemi seriozisht të shqetësuar me informacionet e fundit lidhur me përgatitjen e një manovre huaje të brendshme nga bankat tregtare, e cila parashihet të kapë shifrën e frikshme 300 milionë dollarë për muajin qershor, me interesa kërcënuese për qëndrueshmërinë e ekonomisë dhe pasoja të pallogaritshme për kreditimin e sipërmarrjes private”, deklaroi Rama.
Ndërkaq ai kërkoi transparencë të plotë lidhur me këtë zhvillim potencialisht të rrezikshëm për ekonominë shqiptare.
“I bëj edhe njëherë thirrje Saliut, Ridvanit dhe Fullanit të mos luajnë me zjarrin e qëndrueshmërisë ekonomike e financiare të këtij vendi, e të mos mendojnë vetëm për të nxjerrë kalin e qeverisë matanë lumit të këtij viti, sepse Shqipëria do të jetë këtu edhe kur të iki qeveria dhe shqiptarët nuk meritojnë t’i paguajnë një tjetër haraç të rëndë politikës së verbër ekonomike e financiare të Sali Berishës”, thekesoi kryetari i Partisë Socialiste.
Sipas kreut të socialistëve, Edi Rama, kriza e ekonomisë shqiptare po prek kockën dhe ngrënia e kockës së kësaj ekonomie të rrënuar, me babëzinë e interesave të pushtetit, mund ta shembë përtokë modelin e falimentuar ekonomik të politikës së vjetër të interesave të ditës.
“Receta e përdorur deri tani nga qeveria është shkatërruese për ekonominë dhe ndalimi i përdorimit të saj është kusht i domosdoshëm për të ndaluar shkatërrimin e plotë të ekonomisë”, përfundoi Rama, pa dashur t’u përgjigjet më tej pyetjeve të gazetarëve mbi zhvillime të tjera politike në vend.
mit/NOA