English

Sot 5 vjet, Lëvizja Vetëvendosje!

Sot Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka përvjetorin e pestë. Pesë vite më parë, po në këtë ditë, ne u themeluam. E veçanta e themelimit tonë është se u ngjizëm në aksion

Nga Dardan Molliqajt

Më 12 qershor 2005 në ora 12:00 ne shkruam për herë të parë parullën JO NEGOCIATA VETËVENDOSJE në murin e madh që UNMIK-u kishte vendosur në qendër të Prishtinës për ta ndarë veten edhe fizikisht nga ne. UNMIK-u kishte pushtetin absolut mbi Kosovës ndërkohë që kishte themeluar institucione të Kosovës për ta ndihmuar atë në zbatimin e Rezolutës 1244 që ishte dhe mbetet kundër Kosovës.

Ishte koha kur përgatiteshin negociatat e Kosovës me Serbinë, për statusin e Kosovës, dhe të gjitha forcat politike të vendit shqetësim të vetëm kishin nëse do të ftoheshin në këto negociata, dhe shqetësimin e brendshëm se cilët anëtarë të kryesive të partive do të merrnin pjesë në to.

Ne i kundërshtuam fuqishëm këto negociata. Ne kërkonim që statusi i Kosovës të jetë përcaktim i popullit të Kosovës, përcaktim i cili rrjedh nga e drejta jonë për vetëvendosje. Dhe këtë kundërshtim nuk e kishim vetëm deklarativ. Atë e bëmë përmes shumë aksioneve protestuese dhe demonstratave.

Këto negociata përfunduan me Planin e Ahtisaarit. E ky Plan u shndërrua në bazën juridike të secilit zhvillim politik në Kosovë pas miratimit të tij nga Kuvendi i Kosovës. Përjashtimi i popullit nga politika u vazhdua dhe thellua nga Plani i Ahtisaarit.

E ky përjashtim ia përkeqësoi jetën qytetarit dhe ia përmirësoi atë politikanit. Sot pas pesë viteve parulla JO NEGOCIATA VETËVENDOSJE është prapë aktuale, sepse prapë po përgatiten negociata të reja me Serbinë. Dhe kështu do të vazhdojë përderisa zgjidhja t’i kthehet popullit dhe të vendoset në bazë të vullnetit të tij të deklaruar.

Ne si Lëvizje do të shtrihemi dhe organizohemi në mbarë Kosovën.

Ne kemi filluar një fazë të ristrukturimit para disa muajve. Kemi një statut të ri, dhe po ashtu Lëvizjen e kemi strukturuar në komitete të cilat merren me politikat e Lëvizjes si dhe sekretariatet që e mirëmbajnë organizatën.

Po ashtu gjatë kësaj fazë ne jemi takuar dhe kemi bashkëpunuar me shume individ të fushave të ndryshme. Kjo faze do te vazhdoje.

Para pesë muajve ne kemi filluar debatin e brendshëm për të diskutuar për pjesëmarrjen tonë ose jo në zgjedhje. Ky debat i ka pasur tri faza:

Në fazën e para secili aktivist i ka shprehur mendimet e veta.

Në fazën e dytë ne kemi diskutuar bashkërisht për këtë proces.

Ndërsa në fazën e tretë të këtij debati përfaqësues nga të gjitha qendrat dhe drejtuesit e sekretariateve dhe komiteteve kanë marrë vendim. Lëvizja VETËVENDOSJE përveç metodave të deritashme, aksioneve dhe demonstratave do te shtoj si metodë te sajën edhe pjesëmarrjen ne zgjedhje. Kjo me qëllimin e përmbushjes sa më te shpejtë te synimit tone.

(*) Dërguar nga autori

KOMENTE