Sport-Botëror/ Grupi C, Vjen Surpriza E Parë E Botërorit, Anglia Vetëm Barazim Me Shba-Në
TIRANË, 12 Qershor/ ATSH - Gjergji Mima/ Nga stadiumi i Rustemburgut në Afrikën e Jugut vjen surpriza e parë e këtij kampionati Botëror. Shtetet e Bashkuara të Amerikës bllokuan në rezultatin 1-1 Anglinë e teknikut italian Fabio Kapelo, pretendente për fitimin e trofeut final.
Përfaqësuesja angleze e pagoi mjaft shtrenjtë gabimin fatal të portierit Robert Green në minutën e 40-t të takimit, ku pas një gjuajtje të Dempsey i shpëtoi topi nga duart. Deri në atë moment Anglia kryesonte 1-0 me golin e kapitenit Steven Gerrard të shënuar që në minutën e 4-t.
Nesër për grupin C do të përballen në orën 13:30 skuadrat e Algjerisë dhe Sllovenisë.
Angli - SHBA 1-1
Shënues: 4' Gerrard (I); 40' Dempsey (U)
Anglia (4-4-2): Green; G.Johnson, King (Carragher), Terry, A.Cole; Lennon, Gerrard, Lampard, Milner (Wright-Phillips); Heskey (Crouch), Rooney. Trajner. Fabio Capello
SHBA (4-2-3-1): Howard; Cherundolo, DeMerit, Onyewu, Bocanegra; Bradley, Clark; Dempsey, Donovan, Findley (Buddle); Altidore (Holden). Trajner: Bob Bradley