English

Topalli, Lobim Për Lëvizjen E Lirë Të Shqiptarëve Me Kryeparlamentarët Europianë

- Gjatë qëndrimit të saj në Qipro - TIRANË, 12 Qershor/ATSH/.- Lobimi për lëvizjen e lirë të shqiptarëve ishte qëllimi kryesor i takimeve që Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli zhvilloi me kryeparlamentarë të disa vendeve gjatë qëndrimit të saj në Qipro, ku mori pjesë në konferencën e nivelit të lartë të kryetarëve të parlamenteve të KiE-së. Sipas njoftimit për shtyp nga Kuvendi, Topalli u takua me kryetaren e Dhomës së Lordëve, Baroneshën Helen Hayman dhe nënkryetarin e Dhomës së Ulët, Sir Alan Haselhurst. Kryetarja e Kuvendit, pasi i njohu zyrtarët britanikë për ecurinë e Shqipërisë gjatë viteve të fundit në kuadër të proceseve integruese, u ndal tek zgjedhjet e 28 qershorit, të cilat siç tha ajo "u kualifikuan nga "arbitri ndërkombëtar" si zgjedhje të standarteve të OSBE-së". "Ky ishte procesi më i mirë dhe më transparent, që shqiptarët kanë pasur në 20 vite. Për të arritur këtë transparencë numërimi i votave u bë përmes fotografimit, skanimit, filmimit dhe transmetimit online. Kjo ishte një gjë e re që ne arritëm në Shqipëri", tha Topalli. Baronesha Heyman vlerësoi se kjo ishte diçka e re, jo vetëm për Shqipërinë, por ajo e gjente shumë interesante, si rasti i një transparence të plotë që vendoste në bazë, besueshmërinë. Gjatë qëndrimit në Qipro, Topalli u takua dhe me kryetarin e Parlamentit të Sllovenisë, Pavel Gantar me të cilin bisedoi për heqjen e vizave. "Sllovenia do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në të gjitha përpjekjet e saj drejt BE-së dhe kjo mbështetje nuk do të mungojë as në heqjen e vizave. Integrimi dhe liberalizimi i vizave shkojnë paralelisht, ndaj ne e konsiderojmë prioritet heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën. Ne nuk do e lidhim këtë çështje me situatën politike në Shqipëri, pasi ato nuk mund të lidhen bashkë", u shpreh Gantar. Gjatë Konferencës së Kryetarëve të parlamenteve të PACE, kryetarja Topalli u takua dhe me Kryetarin e sapozgjedhur të Parlamentit të Hungarisë, Pal Schmitt. Hungaria është vendi që do të ketë presidencën europiane pas një viti dhe Topalli gjeti rastin për t'i kërkuar dhe një herë mbështetjen e vendit të tij për Shqipërinë në marrjen e statusit të vendit kandidat dhe votën në Parlament për liberalizimin e vizave. Kryeparlamentari hungarez e garantoi znj. Topalli se vendi i tij dhe Parlamenti hungarez do vazhdojë të mbështesë përpjekjet e mëdha që qeveria dhe shqiptarët, kanë bërë gjatë kësaj periudhe. Kryetarja e Kuvendit u takua dhe me kryetarin e Parlamentit të Letonisë, Daudze, të Bullgarisë, Tsacheva dhe me kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Italisë, Fini të cilëve iu kërkoi mbështetje për lëvizjen e lirë të shqiptarëve. /a.s//n.m/
KOMENTE