Nju Jork, 12 Qershor, NOA - Në disa qytete dhe shtete amerikane ka vazhduar karvani i promovimit të librit të mirënjohur “Maqedonia Shqiptare”, një enciklopedi me dëshmi dhe materiale faktike historike të bashkërenduar dhe të publikuar nga publicisti Nijazi Muhamedi.
Rrugëtimi i Muhamedit nga Tetova drejt SHBA-ve ishte tejet impresionues, sidomos pritja madhështore dhe pranimi me shumë ngrohtësi dhe interes të lartë të veprës “Maqedonia Shqiptare”. Muhamedi ka arritur që të shpalos përmbajtjen e kësaj vepre, e cila ishte publikuar me ndihmën e bashkautorëve të tjerë dhe me promocionin e bujshëm të agjencisë së lajmeve INA dhe gazetës “24 orë”.
Takimi me kandidatin për senator amerikan, Xhozef DioGuardi ka qenë mbresëlënës për personalitetin e njohur të politikës amerikane, i cili me këtë vepër është ndjerë tejet krenarë, për shkak të shpalosjes së fakteve për dëshminë e autoktonitetit shqiptar, që i përket edhe atij, për shkak të origjinës së pastër shqiptare.
Çikago dhe Detroit- dy qendrat e forta
Vepra “Maqedonia Shqiptare” ka arritur të bëjë bujë, duke u shpalosur pranë komunitetit, i cili shprehur kërkesa të mëdha për të pasur në duar librin.
Para një auditoriumi prej dhjetëra pjesëmarrësish të ardhur nga disa shtete amerikane, kryesisht nga Illionis, Uiskons dhe Indiana në Qendrën Kulturore Shqiptare në ÇÇikago, Muhamedi dhe referues me kumtesa shkencore kanë argumentuar gjithë përmbajtjen e këtij libri, i cili kishte dalë si kundërpërgjigje për “Enciklopedinë Maqedonase”, e cila kishte shtrembëruar faktet për historinë shqiptare në Maqedoni.
Në fjalën e rastit, bordin drejtues të promovimit të veprës e përbënin profesor Iljaz Kadriu, profesor Rasim Bobo dhe profesor Skender Karaçica, të cilët prezantuan dhe referuan me referencat e tyre lidhur me këtë vepër të publicistit Muhamedi.
“Është mëkat i madh i shekullit 21 që shqiptarët në Maqedoni edhe pas dy dekadave të pluralizmit dhe zhvillimit demokratik, nuk arritën ti thonë stop këtij diskriminimi dhe shtrembërimi të rëndë institucional, që vijoi edhe me një enciklopedi maqedonase”, ka theksuar profesor Ilaz Kadriu.
Mbresat dhe mesazhet nga Detroiti
Autori i librit Nijazi Muhamedi i shoqëruar nga delegacioni i Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Illionis: Azem Begzati, Ilaz Kadriu, Sinan Sadiku dhe kryetari Xhevat Sherifi në takimin me aktivistët dhe bashkëadhëtarët në Detroit në lokalet e Kishës Zonja Pajtore të udhëhequr nga Don Ndue Gjergji prezantuan librin “Maqedonia Shqiptare”, mirëpo duke diskutuar edhe për zhvillimet në rajon e Maqedoni.
Publicisti Muhamedi para të pranishmëve elaboroi veprën e tij duke shfaqur tezat më të rëndësishme të antikitetit iliro-pellazgo-maqedonas të pjesës së njohur si Maqedonia Shqiptare, me tërë figurat më të ndritshme. Në këtë promovim ishte i pranishëm edhe veprimtari i mirënjohur, Ekrem Bardha, i cili njëkohësisht është ambasador nderi i Shqipërisë në SHBA.
“Në historitë tona, heronjtë tanë janë heronj, ndërsa për ta janë armiq, ose e kundërta. Shqiptarët çlirimin e Maqedonisë pas 1945 e konsiderojnë si pushtim, kurse maqedonas si formim të shtetit dhe çlirim. Këto raporte dhe konjuktura nuk e bëjnë të mundur përpilimin e një enciklopedie”, ka theksuar Nijazi Muhamedi, duke shtuar se në përpilim e sipër është vëllimi i dytë, për të përfunduar më vonë me një enciklopedi të përgjithshme si “Maqedonia shqiptare”.
NOA-INA