English

Buxhuku: Qeveria të mos vonojë amnistinë fiskale për biznesin

Tiranë, 13 qershor, NOA- Konfederata e Industrive të Shqipërisë (Konfindustria) ka kërkuar sot nga qeveria që të aplikojë amnistinë financiare për biznesin, si e vetmja mënyrë për t’i dhënë një frymëmarrje të re aktivitet të tij në vend.

Në një deklaratë për mediat, Administrator i Përgjithshëm i Konfindustria, Gjergj Buxhuku thekson se edhe vende si Greqia që janë në krizë të rëndë ekonomike po aplikojnë ditët e fundit falje të detyrimeve të biznesit ndaj shtetit.

“Nisur nga zhvillimet e fundit në vendet konkurrente tregtare fqinje të Shqipërisë si dhe nga kërkesa e domosdoshme e ekonomisë shqiptare për financime, shpreh shqetësimin për vonesat e ekzekutivit shqiptar në kryerjen e amnistisë fiskale”, u shpreh Buxhuku.

Ai shtoi se shqetësimi vjen nga vendimi i Qeverisë dhe Parlamentit të Greqisë për fillimin e zbatimit me shpejtësi në Greqi të amnistisë për hyrjet në sistemin bankar të depozitave nga vendet e treta.

Nisur nga kjo, Buxhuku, shton se për biznesin është e papranueshme që gjatë 20 viteve që nga vendosja e tregut të lirë institucionet shqiptare nuk kanë bërë asnjë amnisti fiskale.

“Është krejtësisht e papranueshme, që në një hapësire kohore 20 vjeçare të ndryshimeve kaq të thella ekonomike, fiskale dhe institucionale, Shqipëria të mbetet i vetmi vend në Europë përfshi edhe vendet e BE, që nuk ka kryer asnjë amnisti fiskale të vërtetë dhe aq më shumë në kushtet kur vendet konkurrente tona si Greqia dhe Italia i kryejnë në mënyrë të vazhdueshme”, tha Buxhuku.

Administrator i Përgjithshëm i Konfindustria ka theksuar se këto vonesa kanë ndikime direkte në ekonominë e vendit dhe nuk sjellin ritmet e duhura në biznes.

“Vonesat kohore të kryerjes së amnistisë fiskale në Shqipëri kanë ndikim të drejtpërdrejtë në: shtimin e dukurisë thellësisht shqetësuese të largimit të parave shqiptare në sasi jashtëzakonisht të mëdha jashtë vendit, ngadalësimin e nismave investuese nga biznesi dhe qytetarët në ekonomi si dhe në shtimin e prirjes e tërheqjes/mbajtjes së kursimeve të emigracionit të shumtë shqiptar nga bankat e huaja pa i kthyer në atdhe”, përfundoi Buxhuku.

m.xh/NOA

KOMENTE