English

Çeku: KFOR, ende i nevojshëm, shërbimet sekrete serbe veprojnë në Kosovë

Prishtinë, 13 qershor, NOA - Hyrja e trupave të NATO-s në Kosovë dhe largimi i trupave ushtarake serbe nga territori i vendit cilësohet si “moment historik” nga liderët kosovarë, ndërsa ligjshmëria e e vendimit për angazhimin e KFOR-it në Kosovë, edhe 11 vjet pas, mbetet temë e diskutueshme në Beograd.

Trupat e KFOR-it, që në vitin 1999 numëronin diku 50 mijë ushtarë nga vendet anëtare dhe jo anëtare të NATO-s, që nga ajo kohë kanë kaluar nëpër disa faza reduktimi.

Në vitin 2002, numri i pjesëtarëve të KFOR-it u reduktua në 39 mijë, për të vazhduar në fazën e dytë të reduktimit në qershor të 2003-ës në 26 mijë, ndërsa në fund të po atij viti në Kosovë mbetën 17.500 ushtarë.

Aktualisht, në Kosovë janë të angazhuar më pak se 10 mijë ushtarë të KFOR-it, formacion ky që nga ushtarakë të lartë në NATO është paralajmëruar të pësojë reduktime të mëtejme në 5000 e më pak ushtarë.

Zëdhënësi i KFOR-it, Michael Koetting, tha se reduktimit të mëtejmë të trupave të NATO-s në Kosovë do t’i paraprijnë vlerësimet politike e ushtarake në Bruksel.

“Nuk ka pasqyrë kohore për reduktim të mëtejmë të trupave. Do të ketë vlerësime ushtarake e politike dhe trupat do ta marrin formën varësisht nga ato”, tha ai.

E ardhmja e KFOR-it ishte temë diskutimi e takimit të ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, i cili përfundoi të premten.

Në takim u tha se transformimi i KFOR-it në një forcë më mobile dhe më të vogël mund të bëhet vetëm po qe se analizat e kushteve lejojnë një gjë të tillë.

Pavarësisht disa incidenteve të kohëpaskohshme, situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë u vlerësua të jetë e qetë. Mirëpo, ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 1999-ën, tha se nuk mund të flitet për një situatë stabile, nëse merret parasysh gjendja e sigurisë në veri të Kosovës.

“Kemi struktura paralele, kemi formacione të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të shërbimeve sekrete. Në njëfarë mënyre, NATO-ja, duke reduktuar trupat, nuk e sheh këtë si shqetësim. E dërgon një mesazh kinse është pajtuar me një situatë të tillë, e dërgon një mesazh se në planet e tyre kanë për qëllim ta lënë këtë situatë siç është”, u shpreh Çeku.

Reduktimet e mëtejmë të trupave të KFOR-it, sipas tij, duhet të bëhen edhe në bazë të konsultimeve me institucionet kosovare të sigurisë.

“Mungon ai bashkëpunimi i ngushtë në mes të institucioneve dhe KFOR-it. Ne kemi raporte, raporte miqësore kemi pasur gjithmonë, por nuk kemi një bashkëpunim, një bashkërenditje, bashkëveprim sa duhet të kemi”, theksoi ai.

Përfaqësues të serbëve në Kosovë thonë se situata e sigurisë varet nga shumë faktorë. Për njërin nga politikanët serbë, Dragan Veliq, reduktimi i trupave të NATO-s në Kosovë është i padëshirueshëm.

“Për momentin, vlerësimi i forcave të NATO-s, në kuptimin e zvogëlimit të trupave, ndoshta është raport i vlerësimit për situatën aktuale, si dhe raport i një vendimi politik dhe porosisë që NATO-ja dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare e jep për Kosovën. Por, në çfarëdo rasti, kjo nuk do të nënkuptojë sigurinë dhe, në këtë mënyrë, vetëm sa do të shtohen rreziqet për sigurinë”, tha Veliq, i cili pret që NATO-ja të sjellë vendime, të cilat e garantojnë sigurinë.

Hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë i kishte paraprirë nënshkrimi i Marrëveshjes së Kumanovës, e cila detyroi trupat serbe të largohen nga territori i Kosovës.

NOA/RFE
KOMENTE