English

Fao Do Te Mbeshtese Zhvillimin E Bujqesise Në Shqipëri, Si Nje Vend Qe Aspiron Integrimin Ne Be

TIRANE, 13 Qershor /ATSH- E.Xhajanka/- Organizata për Ushqimin dhe Bujqësinë e Kombeve të Bashkuara (FAO) do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e sektorit të bujqësisë ne Shqipëri si vend që aspiron integrimin në BE. Koordinatori i projekteve të FAO-s në Shqipëri, Grigor Gjeçi thotë se, zhvillimi rural, marketingu, agropërpunimi dhe konsolidimi i tregut të tokës, kanë qënë sektorët prioritarë që FAO ka mbështetur me projekte konkrete gjatë viteve të prezencës së saj në Shqipëri. Ndërkohë që, nënvizon ai, marrëveshja e firmosur mes MBUMK-së dhe FAO-s, në fund të vitit 2009 në Kuadrin Kombëtar Afat-Mesëm të Prioriteteve (KKAMP) 2009- 2011 do ti japë një nxitje zhvillimit në fushat e bujqësisë, zonave rurale dhe menaxhimit natyror të burimeve. Duke u ndalur në prespektivën e projekteve të FAO-s, Gjeçi shprehet se, "KKAMP si dokument programi i aktiviteteve të FAO-s në Shqipëri, synon të lehtësojë bashkëpunimin në nivelin kombëtar, duke mundësuar një fokus strategjik më të madh kundrejt prioriteteve afat-mesme të përcaktuar në konsultim të ngushtë me qeverinë dhe palë të tjera të interesuara. Dokumenti saktëson përkushtimet dhe kontributet e FAO-s , si pjesë e programit "Një OKB". KKAMP mbështet prioritetet e Qeverisë shqiptare në sektorin e Bujqësisë, dhe është rezultat i një procesi konsultimesh dhe pune të përbashkët, e cila përfshin grupe interesi kombëtare dhe ndërkombëtare në agro-ushqimin, zhvillimin rural, dhe menaxhimin e burimeve natyrore, si edhe agjenci qeveritare dhe partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë në fushën e zhvillimit. Programi FAO, vepron në vendin tonë që prej vitit 1992 dhe deri më sot ka dhënë një kontribut të madh në mbështetjen e bujqësisë dhe blegtorisë në Shqipëri, ku ndër projektet kryesore të saj janë për zhvillimin e fermave bujqësore, ngritjen e tregjeve bujqësore, në Kukës, e Durrës, ngritjen e serave të reja në Durrës dhe Kavajë dhe mbështetje teknike për Agjencinë Kombëtare të Ushqimit. /a.gj/
KOMENTE