English

Këmbimi Valutor-Euro Humb Pikë Ndërkohë Që Dollari Forcohet

TIRANE, 13 Qershor /ATSH-E.Xhajanka/ - Gjatë kësaj jave dollari pësoi rritje të ndjeshme në tregun tonë të këmbimit valutor, duke iu afruar kuotës së 113.6 lekëve. Forcimi i monedhës amerikane është shkaktuar nga ecuria e bursave ndërkombëtare. Në këto të fundit, euro ka humbur pikë, duke u këmbyer më pak se 1 dollar e 21 cent. Ky është niveli më i ulët që shënon monedha e Eurozonës që nga marsi i vitit 2006. Forcimi i dollarit është reflektuar dhe në tregun tonë të këmbimit. Sipas kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, dollari është blerë me 112.9 lekë, ndërsa euro është këmbyer me 136.7 lekë. Rënia e euros kundrejt dollarit vijon tashmë prej disa javësh. Dobësimi i monedhës së përbashkët europiane është një lajm i mirë për të gjithë klientët e bankave që kanë marrë kredi në valutë dhe që të ardhurat i kanë në lekë, pasi nuk do të rëndohen në pagesat mujore me koston e transaksionit. Bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm qytetarësh, pasi sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, mbi 60 për qind e kredimarrësve të bankave kanë marrë hua në valutë dhe veçanërisht në euro. Rënia e euros do të ketë ndikim edhe në tregtinë e jashtme. Kjo pasi sipas të dhënave të fundit të Institutit të Statistikave, 65.6 për qind e shkëmbimeve tregtare realizohen me vendet e Bashkimit Europian. Dobësimi i monedhës së përbashkët europiane do t'i bëjë më të lira importet dhe rrjedhimisht, pritet që çmimet e mallrave që vijnë nga jashtë, të pësojnë rënie. Ndërkohë që efekte negative rënia e euros do të ketë te eksportuesit, norma e fitimit të së cilëve do të ulet. /f.n/
KOMENTE