English

P/Ligji "Për Faljen"/ Te Henen Vazhdon Diskutimi Në Komisionin E Ligjeve

- Përmbledhje - TIRANË, 12 Qershor/ATSH/.- Përcaktimi i kritereve dhe procedurave të dhënies së faljes për personat që vuajnë dënime me vendim gjyqësor është qëllimi i projektligjit "Për faljen", shqyrtimi nen për nen i të cilit do të vazhdojë të hënën nga deputetët e komisionit të Ligjeve. Projektligji i ndalon të dënuarit me burgim të përjetshëm të kërkojnë falje, ndërsa për ata që kanë kryer krime të rënda falja nuk mund të bëhet pa kaluar minimalisht 1/3 e dënimit. Drafti, që po diskutohet prej një jave në komisionin parlamentar të Ligjeve, parashikon një ndërthurje kompetencash mes Presidentit të Republikës dhe ministrit të Drejtësisë, me synimin siç thuhet dhe në relacionin e projektit, që "t'i vërë fre rrugës së abuzimit dhe t'i shërbejë mbrojtjes së interesave të shtetasve nga pushteti". Nëse deri tani Presidenti ishte institucioni i vetëm që kishte ekskluzivitetin e faljes së të dënuarve, tashmë më tepër kompetenca në këtë drejtim do të ketë ministri i Drejtësisë. Gjatë një seance dëgjimore në komisionin e Ligjeve (7 qershor), ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, duke mbrojtur projektin e qeverisë, tha se këtu nuk bëhet fjalë për një "vjedhje" kompetencash, por lehtësim të punës së kreut të shtetit në përzgjedhje. "Unë nuk kam të drejtë vendimmarrëse, sepse ajo i takon Presidentit. Unë propozoj dhe kërkesat i shoqëroj me informacionin e nevojshëm", tha Nishani. Sipas tij, dhënia e së drejtës së propozimit ministrit të Drejtësisë, i cili ia adreson Presidentit të Republikës, krijon transparencë dhe rrit ndërveprimin e institucioneve kushtetuese, por nga ana tjetër krijon të gjitha informacionet e nevojshme që duhet të ketë Presidenti për të ushtruar instrumentin e faljes. Gjatë diskutimit në parim të draftit, përfaqësues të organizatave joqeveritare, por dhe Avokati i Popullit dhe Dhoma e Avokatisë propozuan që të zgjerohet rrethi i institucioneve që kanë të drejtë të kërkojnë faljen e të burgosurve. Në seancën dëgjimore me grupet e interesit në komisionin e Ligjeve, përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, Riza Poda ishte i mendimit se në rrethin e subjekteve që mund të vënë në lëvizje me anë një kërkese propozimi ministrin e Drejtësisë duhet të jenë dhe ato autoritete që janë më afër problematikave të njerëzve dhe që njohin nga afër gjendjen ekonomiko-shoqërore të të dënuarve. Të tillë, sipas tij, mund të jenë kryetarët e bashkive dhe komunave, deputetët, Avokati i Popullit, organizatat jofitimprurëse në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Edhe përfaqësuesi i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, iu bashkua këtij argumenti, ndërsa propozoi ngritjen e një strukture të veçantë pranë Ministrisë së Drejtësisë për zbatimin e këtyre procedurave. Avokati Haxhia propozoi edhe përjashtimin e prokurorisë dhe të gjykatës nga institucioni i faljes. Elsa Ballauri, drejtore ekzekutive e Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut, i kushtoi një vëmendje të veçantë ngritjes së një strukture pranë Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa mbështeti dhe prioritetet që duhet të kenë disa kategori për t'u falur si gratë, të moshuarit, të miturit apo të sëmurët. "Por në çdo rast, theksoi ajo, nuk duhet të abuzohet, sepse krimi mbetet i tillë pavarësisht nga kush është kryer", shtoi Ballauri. Në mbështetje të këtyre argumentave është shprehur dhe drejtorja ekzekutive e KSHH-së, Vjollca Meçaj, e cila ka kërkuar një përcaktim më të qartë të pozicionit të ministrit të Drejtësisë. Sipas saj raporti i faljes është mes qytetarit dhe Presidentit dhe për këtë arsye kreu i shtetit duhet të japë dhe një përgjigje, nëse nuk pranohet kërkesa. Për hartimin e projektligjit "Për faljen" janë marrë parasysh një pjesë e madhe e vërejtjeve të bëra nga Misioni Euralius II dhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale./a.s/ f.n/
KOMENTE