English

Policia flet zyrtarisht për ngjarjen me 2 të vdekur e 3 të plagosur në Sauk

Tiranë, 13 Qershor 2010 NOA - Nga hetimet paraprake të kryera nga grupi hetimor në vendngjarje si dhe Specialistë të hetimit të Krimit të Policisë së Kryeqytetit, për ngjarjen me 2 të vdekur e 3 të plagosur në Sauk, aktualisht po hetojnë në dy pista, në atë të ngjarjes aksidentale dhe atë të një ngjarje të mundshme kriminale. Këtë pohim bëri sonte Drejtoria e Policisë së Tiranës.

Ngjarja ndodhi sot rreth orës 09.40’ në Sauk të Vjetër Tiranë, kur dhe ka ndodhur një shpërthim, në banesën e shtetasit Xhevdet Xhebrahimi. Si pasojë e këtij shpërthimi kanë gjendur vdekjen dy shtetas si dhe janë plagosur tre të tjerë.

Menjëherë, për në drejtim të vendit të ngjarjes shkuan shërbimet policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë, Specialist Anti – Eksploziv, Ekspert Xhenier, Ekpert Kriminalist, të cilët morën masa të shpejta për evakuimin e personave të tjerë të cilët ndodheshin në banesë, të cilëve ju dha ndihma e parë mjekësore si dhe bë evakuimi i zonës përreth vendi ngjarjes.

Si pasojë e këtij shpërthimi kanë gjendur vdekjen, shtetasi Xhevdet Xhebrahimi, 71 vjeç dhe shtetasi Luan Brahja, 36 vjeç, me banim në Sauk Tiranë, si dhe janë plagosur lehtë shtetasit Fatbardha Xhebrahimi 58 vjeç, Altin Xhebrahimi 33 vjeç si dhe Shpresa Xhebrahimi 28 vjeç.

Në lidhje me këtë ngjarje është ngritur një grup i posaçëm pune ku në përbërje të tij me Ekspertë Xhenier dhe Ekspert Kriminalist, të cilët po merren me administrimin dhe analizimin e provave të gjetura në vendngjarje.

Nga specialistët e hetimit të krimeve të Policisë së Tiranës, paralelisht po marrin në pyetje persona dëshmitarë të ndodhur pranë vendit të ngjarjes, me qëllim grumbullimin e provave dhe dokumentimin e kësaj ngjarje.

Nga hetimet paraprake të kryera nga grupi hetimor në vendngjarje si dhe Specialistë të hetimit të Krimit të Policisë së Kryeqytetit, aktualisht po hetojnë në dy pista, në atë të ngjarjes aksidentale dhe atë të një ngjarje të mundshme kriminale.

Aktualisht në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë grupi i posaçëm hetimor do të vazhdojnë punën më tej, me synim për të sqaruar rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarje.

r.n/NOA

KOMENTE