English

Qeveria ka nevojë për para, pritet shkurtimi i buxhetit

Tiranë, 13 qershor, NOA/Rajmonda Lajthia - Përtej euforizmit të zyrtarëve, se ekonomia është në gjendje të shëndoshë, qeveria nga ana tjetër po bën çmos të gjej borxh, për të mbushur arkën e shtetit.

Nisma më e fundit për të marrë hua në tregun e brendshëm në valutë, pas dështimit të eurobondit, vlerësohet si një masë që do të frenojë kreditimin e biznesit vendas. Një ditë pas shqetësimit që ngriti kryetari i Partisë Socialiste, ish ministria e ekonomisë Ermelinda Meksi shprehet se ky është rezultati i keqqeverisjes me financat publike, ndaj është e nevojshme të rishikohet me urgjencë buxheti i shtetit.

“Kjo nuk është gjë tjetër veçse një bono thesari në valutë që tregon nevojën e qeverisë për para dhe sigurisht që do të ketë efekte negative. Të gjithë e dinë që kreditimi i biznesit është motori i rritjes ekonomike, por nëse qeveria do t’i drejtohet bankave të nivelit të dytë, për të plotësuar nevojat e saj për likuiditet, atëherë biznesi nuk do të ketë mundësi të marrë kredi.”-shprehet Meksi.

Por edhe deputetë të mazhorancës janë dorëzuar përball zhvillime jo pozitive që ka sjellë pesë -mujori i parë i këtij viti, në të ardhurat publike, ku evidentohet një defiçit mbi 8 miliard lekë.

Deputeti Sherefedin Shehu thotë se tani është koha që buxheti të shkurtohet. Sipas tij, planifikimet e bëra në buxhetin e 2010 nuk parashikuan zhvillimet e fundvitit 2009, ndaj në bazë edhe të ligjit qeveria duhet të rishikojë buxhetin, qofte me tendencë rritje të tij por edhe për shkurtim shpenzimesh.

Kohë më parë Ministri i Financave Ridvan Bode doli para mediave për të deklaruar kthesën e madhe që pësoi ekonomia gjatë muajit mars.

Sipas tij, të dhënat gjatë këtij muaji ishin pozitive dhe jepnin shpresë që buxheti të mos ndryshohej.

Por në fakt gjendja aktuale e financave detyron qeverinë që të shkurtoje buxhetin edhe me më shumë se 30 miliard lekë, nga sa ishte parashikuar në fillim të vitit.

r.l/NOA

KOMENTE