Reportazh / Ka Edhe Turizem Familjar Ne Borsh
BORSH, 13 Qershor/ATSH-Telnis Skuqi/. - Edhe pse sezoni i verës ende nuk ka arritur me ngarkesën e plotë të tij, plazhi i Borshit, me gjatësi 72 km, është gjithnjë ftues për të kaluar dhe një fundjavë në ujërat e pastra të Jonit.
"Ky është Borshi, që duket si një "ishull", që laget nga Joni në pafundësi", shprehet Bujar Lala, 50 vjeç, shoferi i autubuzit të linjës Sarandë-Borsh. Sipas tij, ky fshat është i bekuar, ka klimë detare dhe malore, ku rrallë e gjen një harmoni të tillë.
Lala thotë se vijëzimi i bardhë i rërës ka një shtrirje në horizont që zgjatet me kilometra, aq sa me sy është e pamundur të përcaktosh ku nis dhe ku mbaron ai.
"Kosovarët janë pushuesit e parë që kanë nisur plazhin, ndërsa ata do të shtohen pas përfundimit të Kampionatit Botëror të Futbollit në Afrikën e Jugut", pohon Lala, tifoz i ekipit holandez.
Fitim Hizmo, ish-kryetari i komunës së Lukovës, tregon se Borshi nuk njeh kurrë braktisje nga pushuesit.
"Banorët e bregdetit tashmë janë integruar me biznesin e turizmit familjar. Ata e dinë se çfarë kërkojnë pushuesit. Shumë banesa janë përshtatur për të ofruar natyrën te pragu i shtëpisë", siguron Hizmo.
Ai thotë se në vijën bregdetare të Borshit janë sajuar me shkurret e zonës tendat, që në zhargonin popullor njihen me emrin "hijezimi".
"Hijezimi është një biznes shumë fitimprurës. Një zanatçi fiton 2 mijë lekë të vjetra në ditë për një tende", thotë Hizmo, duke shtuar se në vijën bregdetare janë ndërtuar 100 të tilla.
Borshi është kthyer i tëri në një residencë pushuesish, madje dhe tabelat ku shkruhet "jepen dhoma plazhi" nuk mungojnë.
Andon Lala, 47 vjeç, banor i zonës, thotë se çmimet e hoteleve dhe restoranteve janë të pranueshme.
"Pushuesit preferojnë zakonisht shtëpitë që ndodhen afër detit, me dëshirën për të qenë sa më gjatë pranë ujit dhe rërës së pastër", tregon Lala, ndërsa pohon se prej disa vitesh infrastruktura rrugore brenda fshatit është përmirësuar.
Vladimir Kumi, kryetar prej katër vjetësh i komunës Lukovë, thotë se Borshi ofron për pushuesit turizëm shumë dimensional, si turizmi bregdetar, malor, historik dhe kulturor.
"Kalaja e Borshit apo e Sopotit, siç njihet nga vendasit, ndodhet mbi një kodër, 500 metra mbi nivelin e detit dhe daton rreth shekullit IV-III p.k. Ky është një objekt monumental i rrallë dhe shumë i vizitueshëm gjatë sezonit të verës", tregon Kumi, duke theksuar se pushteti vendor ka piketuar mbi 20 objekte monumentale dhe historike që mund të vizitohen nga pushuesit./a.s/