English

Shënim - Belgjikë - Partia Flamande Propavarësisë E Favorizuar Në Zgjedhjet Legjislative

BRUKSEL, 13 qershor /ATSH-AFP/ - Zgjedhjet e parakohshme legjislative duken vendimtare për të ardhmen e Belgjikës me një sukses të pritshëm të përkrahësve të pavarësisë së Flandrës nga Belgjika, që rrezikon të keqësojë krizën politike mes holandishtfolësve dhe frëngjishtfolësve. Të gjitha sondazhet parashikojnë një fitore të madhe në Flandër, rajoni holandishtfolës në veri të vendit, të N-VA-së, partia Aleanca e re flamande, që merr 24 deri 26 për qind të votave. Megjithatë, kuota e të pavendosurve është shumë e lartë. Për më tepër, një numër i madh shtetasish belgë shprehen të lodhur nga grindjet bizantine mes partive. Kështu, abstenimi mund ta kalojë shifrën 10 për qind, ndërkohë që votimi është i detyruar në Belgjikë. Bart De Wever, 39 vjeç, kryetar i N-VA-së është që prej pak kohësh politikani më popullor në Flandër, ku jetojnë 60 për qind të 10,5 milionë belgëve. Duke kritikuar me tone populiste pakujdesinë e partive frankofone dhe flamande tradicionale, të paafta, sipas tij, për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes tyre dhe për administrimin e duhur të Belgjikës, Bart De Wever shprehet për evolucionin e mbretërisë drejt një modeli "konfederal". Sipas programit të tij, Flandra dhe Valonia duhet të jenë plotësisht autonome në fushën ekonomike dhe do të nënshkruajnë më tej rast për rast marrëveshje bashkëpunimi, për shembull në fushën e mbrojtjes. Me kohë, parashikon Bart De Wever, Belgjika do të shkojë drejt "zhdukjes". "Me 26 ose 27 për qind të votave në Flandër, N-VA-ja do të jetë partia më e madhe në parlamentin belg dhe duke parë programin e saj, kjo do ta bëjë shumë të vështirë formimin e një qeverie të re, që duhet me çdo kusht të përfshijë parti flamande dhe frankofone", thekson politologu Pierre Vercauteren. Për më tepër partia e ekstremit të djathtë Vlaams Belang, edhe pse në rënie, pritet të tërheqë të paktën 10 për qind të zgjedhësve të saj flamandë. Nëse i shtojmë rreth 5 për qind që pritet të marrë partia populiste Lista Dedecker, partitë që shprehen për pavarësinë e Flandrës pritet të përbëjnë 40 për qind të elektoratit flamand. Për sa i përket partive tradicionale, partia kristiandemokrate CD&V nuk merr më tepër se rreth 19 për qind. Ajo po paguan për keqadministrimin e kryeministrit aktual Yves Leterme, i cili është anëtar i saj, që prej tre vjetësh. Po në Flandër, socialistët në opozitë dhe liberalët pritet të arrijnë rezultate edhe më të ulëta. Me këtë shpërndarje të votave, krijimi i një koalicioni të ri qeveritar rrezikon të zgjasë me muaj të tërë. Rezultati: Belgjika do të marrë në korrik presidencën gjashtëmujore të radhës të Bashkimit Evropian me një kabinet që do të administrojë çështjet ekzistuese dhe shtypi shqetësohet për sulme të mundshme të spekuluesve kundër vendit. Fitorja e përkrahësve flamandë të pavarësisë mund t'i hapë rrugën paradoksalisht zgjedhjes së një kryeministri frankofon, për herë të parë që prej viteve 1970. Kandidati më i favorizuar është socialisti nga Valonia Elio Di Rupo, 58 vjeç, i cili pritet të dalë fitues në Valoni ndaj liberalit Didier Reynders. Bart de Wever në fakt nuk është kandidat. Dhe nëse i përjashtojmë nga partitë propavarësisë ose ato ekstremiste, socialistët mund të dalin nga votimi si familja më e fortë politike e vendit mes të moderuarve. Përveç kësaj, partitë flamande tradicionale, pasi kanë dështuar shumë herë, tashmë kërkojnë t'ua lënë frenat frankofonëve për të gjetur një zgjidhje për krizën që po trondit vendin. Nga njëra anë kemi të bëjmë me zgjidhjen e çështjeve gjuhësore, por edhe me dhënien e një autonomie të përforcuar Flandrës, siç e kërkon edhe ajo, pa e përjashtuar plotësisht atë nga shteti federal, gjë që, sipas frankofonëve, do ta çonte vendin në ndarje. Rezultatet e para të votimit priten rreth orës 15:30 GMT. /I.Pu.
KOMENTE