Prishtinë, 13 Qershor, NOA – Arkitektë të arrestimit të dhunshëm të liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, një ditë më parë, janë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, shefi i EULEX-it, Iv de Kermabo dhe përfaqësuesi special i BE-së, Piter Feith.
Kështu ka deklaruar sot në një konferencë për shtyp aktivisti i Vetëvendosjes, tashmë pas 11 Qershorit, një Parti Politike, Glauk Konjufca, i cili deklaroi se pushteti i korruptuar në Kosovë po mban në jetë strukturat paralele në veri, e po tregon paaftësi në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
"Tash që lëvizja jonë e kumtoi vendimin e debatit lidhur me pjesëmarrjen tonë edhe në zgjedhje, interesi i krerëve politikë të Kosovës për persekutimin e Albin Kurtit është bërë edhe më i drejtpërdrejtë dhe më i dhunshëm, ashtu sikurse u pa gjatë ndërhyrjes çnjerëzore të policisë dje”, deklaroi më tej Konjufca. Sipas partisë “Vetëvendosje” arrestimi i Albin Kurtit është shprehje e frikës së pushtetit aktual në Kosovë, pas vendimit që kjo lëvizje mori për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme, ndaj pas këtij arrestimi thellësisht politik "Vetëvendosje" thirri popullin e Kosovës në protestë për lirimin e Kurtit, pikërisht në ditën e fillimit të gjykimit ndaj tij, 21 qershor.
“Është një proces tejet tendencioz politikisht dhe procesit të tillë duhet t’i rezistohet në çdo moment. Këtë e kanë shprehur edhe 175 mijë firma nga qytetarët anembanë vendeve të banuara me shqiptarë", deklaroi aktivisti Liburn Aliu.
"Kjo veprimtari antikosovare e politikanëve të Kosovës, e ka sjellë situatën deri këtu ku është dhe kjo frymë e përgjithshme do të dërgojë në turpe të tjera që po ndodhin dhe do të ndodhin vazhdimisht në shoqërinë tonë, turpe që mund të ndalen vetëm me një reagim qytetar”, nënvizoi në konferencën e sotme Aliu.
Sikundër shprehen aktivistët e Vetëvendosjes, Albin Kurti akuzohet “për pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra penale dhe për pjesëmarrje në një grup, që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare”.
Ndërsa akuza “për thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës, në të cilat u vranë dy protestues” është kërkuar të hidhet poshtë nga vetë prokuroria. Pas mungesash të njëpasnjëshme në dhjetë seancat gjyqësore, Albin Kurti do të thirret për tu gjykuar më 21 qershor, ditë në të cilën plot 175 mijë nënshkruesit e peticionit pro lirimit të tij, nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Lugina e Preshevës pritet të dalin dhe të protestojnë për të kërkuar ndërprerjen e procesit dhe lirimin e tij pa kushte.
mit/NOA