Madrid, 13 Qershor, NOA – 2 vjet pasi hodhi idenë për përgatitjen e një ligji mbi lirinë e besimit, që mbi të gjitha do të afirmonte plotësisht asnjanësinë e shtetit kundrejt fesë, por edhe ndalimin e ekspozimit të kryqeve në të gjitha mjediset laike, kryeministri socialist i Spanjës, José Luis Zapatero duket se e ka vendosur tashmë të krijojë një ligj për shkollat publike, që ndalon rreptësisht ekspozimin e emblemave kishtare, si kryqi.
Kjo normë e re ligjore e publikuar sot nga qeveria spanjolle parashikon lirinë e besimit dhe tregon sipas hartuesve asnjanësinë e shtetit ndaj tematikave fetare, dhe do të jetë i vlefshëm jo vetëm për shkollat publike, por edhe për të gjitha institucionet publike, zyrat e spitalet.
Ligji parashikon gjithashtu që edhe funeralet e kremtuara nga shteti sipas ritit katolike nuk janë me natyrë fetare.
Sipas referimeve të mëparshme mbi këtë ligj, specialistët deklaronin se do të ndalohen pikërisht ato emblema kishtare, të cilat nuk kanë vlerë historike dhe artistike.
Ndërsa ndër institucionet që kushtëzohen nga shteti do të respektoheshin zakonet dhe kostumet.
Kjo normë e re sikundër bëjnë të ditur mediat spanjolle rrezikojnë të rrisin tensionet mes shtetit dhe krerëve të kishës spanjolle.
Ky ligj pasi të prezantohet nga qeveria e Zapateros, duhet të miratohet nga dhoma e deputetëve me shumicë votash, gjë që do të pasojë edhe me heqjen e pjesës më të madhe të kryqeve nëpër sallat publike të Mbretërisë së Spanjës.
Ekspozimi i kryqëzimit të Krishtit në auditoret e shkollave është një traditë e vjetër e vendeve kristiane.
Megjithatë mbajtja dhe ekspozimi i kryqit në mjediset shkollore ka mbetur një traditë edhe sot e kësaj dite.
Përjashtim bën Franca, e cila e ka ndaluar rreptësisht ekspozimin në shkollat publike, qysh prej fillimit të shekullit të 20-të.
mit/NOA