Vlorë, 13 Qershor, NOA – Në 14 qershorin e 1943-it, plot 67 vjet më parë, anija ROSANDRA e Marinës italiane lundronte nga porti i Vlorës, për në portin grek të Patras, një lundim fatal për të pasi u godit nga nëndetëset britanike dhe u fundos pa lënë gjurmë për kaq e kaq vite.
Por, një zbulim i ri, ndoshta hedh dritë mbi vendodhjen e saj, pasi një anije mjaft e madhe, e gjatë 140 -145 metra, që mendohet se i përket periudhës mes dy luftrave botërore, e përdorur për transport nga marina luftarake e një prej fuqive të mëdha ndërluftuese, u zbulua dje, pasditen e 12 qershorit, në bregdetin shqiptar, pranë gadishullit të Karaburunit.
Kjo anije, më e madhja e zbuluar nga ekspedita shqiptaro –amerikane e kërkimeve nënujore, që eksploron prej katër vitesh ujërat shqiptare, gjendet në mbi 80 metra thellë në det, dhe është e goditur nga dy silure në bash dhe në kiç, gjë që shpjegon edhe hamendjen e arkeologëve nënujorë se anija është goditur gjatë luftës, goditje që i ka shkaktuar fundosjen në det anijes.
Të dhënat teknike të anijes dhe vendodhja e reliktit të mbytur i ka bërë arkeologët e ekspeditës të mendojnë se anija e sapogjetur mund t’i përkasë Marinës Italiane, e cila u godit nga nëndetëset angleze, më 14 qershor të 1943-it, pikërisht në orën 14.10 të pasdites.
Sipas arkeologëve amerikanë e shqiptarë nëse të dhënat përputhen me studimin e reliktit arkeologjik, mund fare mirë të dëshmohet se arkeologët kanë zbuluar më në fund vendodhjen e anijes italiane ROSANDRA.
Anija e Marinës Italiane, ROSANDRA, me një kapacitet mbi 8 mijë ton, e ndërtuar në kantierin e Triestes në 1921-in, rezulton e mbytur nga nëndetëset britanike pikërisht në 14 qershorin e vitit 1943.
Ajo u fundos në një lundrim nga porti i Vlorës, për në portin grek të Patras, ku transportonte materiale të ndryshme për ushtrine italiane, një lundrim që rezultoi fatal për të.
Por, rastësia e zbulimit të ROSANDRËS, në rast se provohet që është pikërisht kjo anija e zbuluar, përputhet edhe me një rastësi tjetër, ajo e gjetjes së saj, tri ditë para përvjetorit të 67-të të mbytjes së saj në ujërat shqiptare.
Ekspedita shqiptaro-amerikane e drejtuar nga Dr. Jef Royal dhe Dr. Adrian Anastasi i Institutit të Arkeologjisë dhe i financuar nga RPM Nautical Foundation, një prej fondacioneve të njohura amerikane në zbulimet nënujore mendojne se ky zbulim i rëndësishëm tregon qartë për vlerat që fshihen në thellësitë e detrave shqiptarë.
Ky zbulim, sikundër thonë arkeologët përbën interes të madh për specialistët e kësaj periudhe, të cilët rreken të hedhin dritë mbi fatin e anijes ROSANDRA, e mbytur në momentin e kapitullimit të italisë fashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ekspedita arkeologjike nënujore shqiptaroi-amerikane do të vazhdojë kërkimet e saj edhe përgjatë dy muajve të ardhshëm, për të mbërritur në skanimin e fundit të detit dhe përpilimin e hartave nënujore, një projekt ky që e rendit Shqipërinë ndër të paktat vende të Mesdheut, që kanë identifikuar pasuritë e tyre nënujore.
Arkeologu dhe koordinatori i kësaj ekspedite, Auron Tare, nënvizon se synimi final i këtij projekti është krijimi i një Muzeumi të Arkeologjisë Nënujore, e cila pse jo, mund të çelet në Porto Palermo, një muze unik në llojin e tij, që jo vetëm i krijon mundësi Shqipërisë të ruajë pasuritë e veta, por edhe i hap udhë ekspozimit të tyre tek publiku, duke rritur ndjeshëm edhe interesin e turistëve, një garanci e vërtetë për qëndrueshmërinë e turizmit kulturor.
mit/NOA