English

Ashton: Be Pret Nga Liderët Politikë Shqiptarë Të Zgjidhin Sa Më Shpejt Krizën

- Komisionerja për Politikën e Jashtme të BE-së tha, në Luksemburg se "ne duam që Shqipëria të ecë përpara dhe të jetë pjesë e BE-së" - TIRANË, 14 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Komisionerja për Politikën e Jashtme të Bashkimit Europian, Catherine Ashton deklaroi sot, nga Luksemburgu, se "Bashkimi Europian pret nga liderët politikë shqiptarë që të zgjidhin sa më shpejt krizën politike në vend, pasi kërkon që Shqipëria të ecë përpara dhe të jetë pjesë e BE-së". Në një konferencë për shtyp, pas mbledhjes së Ministrave të Jashtëm të BE-së, në Luksemburg, Ashton tha se "ka patur mesazhe të forta dhe një nxitje të fortë nga Bashkimi Europian drejt liderve politik shqiptarë". "Të gjithë jemi të interesuar të shohim se ç'do të ndodhë me nismën e Daul dhe Schultz. Kjo është lëvizja e duhur. Ne duam të arrijmë në një zgjidhje, sa më parë, pasi duam që Shqipëria të jetë në rrugën e anëtarësimit në BE", tha Ashton. Zyrtarja e lartë evropiane i ka bërë thirrje lidershipit shqiptar që të angazhohet seriozisht për zgjidhjen e ngërcit, duke nënvizuar se BE pret progres nga Shqipëria. "Çështjet të cilat ne duam që liderët shqiptarë të diskutojnë, janë ato çështje që zgjidhin situatën. Ne duam që ata të merren sa më shpejt për të zgjidhur krizën politike dhe të ketë progres", tha Ashton. Komisionerja Ashton tha se në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së u diskutua mbi situatën në vendet e Ballkanit Perëndimor, situatën në Kirgistan, lindjen e Mesme dhe vendet e Azisë Qëndrore./a.gj/
KOMENTE