English

Be - Arrihet Një Marrëveshje Në Parim Për Anëtarësimin E Islandës

LUKSEMBURG, 14 qershor /ATSH-AFP/ - Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian arritën sot një marrëveshje në parim për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Islandës në Bashkimin Evropian, njoftoi shefi i diplomacisë spanjolle Miguel Angel Moratinos. Vendimi pritet ende të zyrtarizohet të enjten nga liderët evropianë në Bruksel, por "ekziston një marrëveshje në parim për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Islandës", deklaroi Moratinos në një konferencë shtypi. Dhënia e statusit si vend kandidat për Islandën ishte kërkuar në fund të shkurtit nga Komisioni Evropian dhe që prej atëherë pritej një miratim nga shtetet evropiane. Brukseli ka theksuar se Islanda është tashmë në një fazë mjaft të avancuar përgatitore, në fushën politike, ekonomike dhe legjislative për të justifikuar kalimin në fazat e mëtejshme. Rejkjaviku është shprehur më parë se shpreson të anëtarësohet në BE në vitin 2012. Islanda, anëtar i hapësirës pa kufij Shengen dhe i Hapësirës ekonomike evropiane, zbaton tashmë rreth tre të katërtat e ligjeve evropiane të nevojshme për t'u anëtarësuar, gjë që do të përshpejtojë procesin në krahasim me vende të tjera kandidate. Ishulli ka paraqitur në korrik të vitit 2009 një kërkesë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE me shpresën e stabilizimit të ekonomisë së tij të dëmtuar nga kriza ekonomike e vitit 2008 dhe për t'u anëtarësuar në zonën euro. Këto bisedime rrezikojnë të jenë mjaft të ashpra lidhur me çështjen e peshkatarëve evropianë në zonat islandeze të ndalimit të peshkimit. Marrëdhëniet e Islandës me BE-në janë vështirësuar për shkak të konfliktit mes Islandës nga njëra anë dhe Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar nga ana tjetër, lidhur me dëmshpërblimin e klientëve britanikë dhe holandezë të cilët humbën paratë e tyre nga falimentimi i bankës islandeze "Icesave". /I.Pu.
KOMENTE