English

Berisha përsërit sërish: Në 1 korrik rriten rrogat dhe pensionet

Tiranë, 14 Qershor, NOA – Në 1 korrik 820 mijë familje shqiptare do të kenë në fondet e tyre një shtesë të rëndësishme.

Ky është premtimi për rritjen e pagave dhe pensioneve që kryeministri Sali Berisha e deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, premtim i cili do të bëhet realitet vetëm pas dy javësh.

“Kjo rritje e kalon 2-7 herë inflacionin që po ulet, dhe vetëm në muajin maj inflacioni u ul me 1.2 përqind”, deklaroi kryeministri Berisha.

Rritja e rrogave dhe pensioneve, sikundër pohoi kryeministri, po realizohet për shkak të zhvillimeve aktuale të ekonomisë dhe për më tepër, si rezultat i reformave të suksesshme.

“Rritja e rrogave dhe pensioneve këtë vit do të jetë më e madhe se ajo e vjetshmja, ndaj ata që e quajtën rritjen e pagave vjet, si një premtim thjesht elektoral, këtë verë do të dëshpërohen”, nënvizoi kryeministri, duke ironizuar këtu deklaratat e krerëve të opozitës kundër mazhorancës.

“Ato që do të rriten ndjeshëm do të jenë rrogat e ulëta, ndërsa rrogat mesatare do të arrijnë deri në 500 dollarë”, shpjegoi më tej strategjinë e rritjes së rrogave dhe pensioneve kreu i qeverisë, duke reklamuar kështu se rritja e pagave dhe pensioneve po realizohet duke u mbështetur në politika të qëndrueshme sociale.

"Ky zhvillim i qëndrueshëm ekonomik i Shqipërisë", shtoi kryeministri, "do të referohet dhe publikohet së shpejti edhe në një raport ndërkombëtar mbi ekonominë."

Por, sigurisht, deklaratat e opozitës që dëshmojnë përditë për borxhet e qeverisë, ishin një nga pikat kyçe ku u ndal kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, për të cilat, ai u shpreh se ndjen keqardhje.

“Flasin e hungërijnë nga mëngjesi në darkë për borxhin. U them qytetarëve se kjo qeveri e gjeti borxhin 72 përqind të prodhimit të brendshëm dhe sot është 59 përqind i GDP-së, ku 60 përqind e këtij borxhi është në lekë dhe pjesa tjetër në kredi të buta”, deklaroi Berisha.

Duke e cilësuar si një nga borxhet më të mira që mund të ekzistojë, kreu i mazhorancës i bëri thirrje kryesocialistit Rama të lexojë më shumë dhe të thellohet më fort mbi borxhin dhe strukturën e tij.

Kryeministri e sulmoi njëherazi kryesocialistin dhe kryebashkiakun, Rama, pasi sipas kryeministritm Bashkia e Tiranës, po u merr më shumë taksa bizneseve për tabelat.

“Nuk u merret më shumë taksë bizneseve nga sa është përcaktuar me ligj. Çdo gjë e marrë mbi ligjin do t’u kthehet atyre që e kanë paguar”, deklaroi kreu i qeverisë.

Berisha e sulmoi Ramën, duke ironizuar se kryebashkiaku i Tiranes i merr taksat për t’i shndërruar në çadra urie.

mit/NOA

KOMENTE