Berisha: Prioritet, Trajtimi I Mbetjeve Urbane
- Përfaqësuesi i Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), Bjorn Andersson, i prezanton Kryeministrit studimin për trajtimin dhe menaxhimin e mbetjeve të ngurta -
TIRANË, 14 Qershor/ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se "mbrojtja e ambientit dhe trajtimi i mbetjeve urbane është prioritet në axhendën e qeverisë shqiptare".
Sipas zyrës së shtypit pranë qeverisë, Kryeministri Berisha priti sot në një takim përfaqësuesin e Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), Bjorn Andersson, i cili prezantoi studimin për trajtimin dhe menaxhimin e mbetjeve të ngurta.
Kryeministri Berisha theksoi se zgjidhja e problemit të mbetjeve urbane ka qenë në vëmendjen e qeverisë dhe për këtë qëllim janë ngritur edhe grupe pune.
Ndihmesa që ofroi qeveria suedeze nëpërmjet agjencisë së ndihmës SIDA, sipas Kryeministrit, "ishte në kohën e duhur dhe për një problem shumë të rëndësishëm".
"Prej kohësh, Shqipërisë i ka munguar një plan veprimi në shkallë vendi për të adresuar këtë problem. Përfshirja e të gjitha strukturave, grupeve të interesit dhe niveleve të pushtetit është e domosdoshme. Problemi i mbetjeve urbane nuk është vetëm një problem ambientalist, por edhe një problem ekonomik dhe shëndetësor", tha më tej Kryeministri.
Ai siguroi se "qeveria shqiptare është e përkushtuar për të filluar zbatimin e një plani konkret, adresuar mbetjeve urbane".
"Trajtimi i njëanshëm i mbetjeve vetëm nga pushteti lokal dhe vetëm nëpërmjet landfilleve është vetëm hapi i parë në zgjidhjen e këtij problemi të rëndësishëm. Trajtimi në kompleks i mbetjeve, deri në ndarjen dhe procesimin e mëtejshëm të tyre, duke përfshirë riciklimin, transformimin, prodhimin e energjisë etj., përbën një objektiv me shumë aspekte", tha Kryeministri Berisha.
Nga ana e tij, z. Andersson sugjeroi ngritjen e një mekanizmi institucional e njerëzor, për të menaxhuar mbetjet urbane. Ai tha se kishte gjetur mbështetjen e plotë të njësive të qeverisë që trajtonin këtë problem.
"Agjencia SIDA dhe programe të tjera suedeze mbështesin këtë projekt madhor, që synon pastrimin e Shqipërisë, adresimin e mbetjeve urbane me teknologji bashkëkohore dhe trajtimin e tyre nga pikëpamja ambientaliste dhe ekonomike", tha Andersson.
Ai vuri në dukje se "kombinimi i të gjitha aspekteve të trajtimit dhe menaxhimit të mbetjeve të ngurta është i lidhur edhe me zhvillimin e një sërë bizneseve si ato të riciklimit, të prodhimit të energjisë, serave etj".
Me kërkesë të qeverisë shqiptare, qeveria suedeze angazhoi agjencinë e saj SIDA për të bërë një studim në shkallë vendi, në lidhje me trajtimin dhe menaxhimin e mbetjeve të ngurta. /m.m/s.s./