Çështja "Gërdeci", Dëshmi Të Tjera Në Gjykatën E Tiranës
TIRANË, 14 QershorATSH/- Seanca e radhës për çështjen "Gërdeci" vijoi sot në Gjykatën e Tiranës me pyetjen e dëshmitarëve të tjerë, shumë nga të cilët punonjës të kompanisë "Meico" në Ministrinë e Mbrojtjes.
Thuajse i gjithë stafi i kësaj kompanie është thirrur nga Prokuroria për të dëshmuar mbi veprimtarinë e zhvilluar më parë nga Meico dhe sidomos të ish- drejtorit të saj, Ylli Pinari, një nga të pandehurit e shumtë të çështjes "Gërdeci".
Suzana Burhanaj, ish -asistente sekretare e Pinarit, dëshmoi sot lidhur me një takim që kishte zhvilluar më parë ai me të pandehurin tjetër të procesit, Mihal Deliorgji, përfaqësuesin e firmës "Alba Demil", e angazhuar në procesin e demontimit të municioneve luftarake në ish-Repartin ushtarak të Gërdecit.
E pyetur nga prokurori i çështjes, Altin Dumani, dëshmitarja pohoi se e njihte Deliorgjin, pasi e kishte parë atë një herë në një takim me ish- drejtorin e saj në zyrën e tij. Ajo pohoi në dëshminë e saj se dokumentacioni shkresor që dilte nga zyra e ish- Drejtorit Pinari ndodhej i protokolluar në arshivën e kompanisë Meico.
Tjetër dëshmitare në këtë seancë, ishte edhe Marinela Bode, që ushtronte detyrën e përkthyeses në këtë kompani. Në dëshminë e saj, ajo deklaroi se kishte marrë pjesë në përkthimin e dokumentacioneve shkresore kryesisht nga gjuha angleze në atë shqiptare, përfshi këtu edhe kontratat që Meico kishte lidhur me kompani të huaja të angazhuara në procesin e demontimit të municioneve në ish- repartin ushtarak të Gërdecit.
Gjithsej si të pandehur në këtë proces janë edhe 29 persona, në pjesën më të madhe ish-drejtues të lartë të ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura. Ata akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur më 15 mars të vitit 2008 në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Tiranës, kur, si pasojë e një shpërthimi të ndodhur humbën jetën 26 persona, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur. /a.m//n.m/