Durrës: Arrestohen Tre Shtetas, Sollën Me Traget Automjete Të Vjedhura
EDHURA
DURRËS, 14 qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Tre persona u ndaluan në portin e Durrësit, pasi kishin sjellë me traget automjete me dokumenta të falsifikuara, ose të vjedhura jashtë vendit.
Burime zyrtare nga drejtoria rajonale e policisë së kufirit dhe migracionit, bënë të ditur për ATSH-në se "34-vjeçari Fisnik Halili nga Kosova me banim në Kirchheimer, Wernu (Gjermani) u ndalua sot në orët e para gjatë kontrollit për futjen e automjetit tip Volksvagen Cady, me targa ES 069137".
Sipas burimeve, 34-vjeçari që nga viti 2005, në mënyrë të përsëritur ka shfrytëzuar të njëjtat targa për të sjellë në Shqipëri automjete të ndyshme.
Halili do të përgjigjet para drejtësisë për veprat penale të fallsifikimit të vulave, stampave apo formularëve dhe kontrabandës me mallra të tjerë, bëjnë të ditur burimet e policisë.
Të njëjtat burime thanë për ATSH-në se "ka nisur proçedimi penal në gjendje të lirë edhe për 59-vjeçarin S. V., banues në Komunën Xhafzotaj (Durrës)".
Gjatë verifikimit të kryer në databaset elektronike të policisë në pikën e kalimit kufitar portual, lidhur me mjetin traktor tip Fiat, me targa PR20414, që po zhdoganohej në emër të tij, rezultoi se ky mjet ishte vjedhur 9 vjet më parë ne Suedi.
Burimet e policisë portuale bënë të ditur gjithashtu se "ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit I.N., 41 vjeç, lindur e banues ne Kullë Sukth, Durrës". Sipas burimeve, ai do të proçedohet pasi gjatë verifikimit të dokumentave të triçiklit APE 50 (Piaggio), pa targa, rezultoi se mjeti ishte vjedhur në Itali.
Për të dy rastet e fundit materialet për veprën penale të trafikimit të mjeteve motorrike iu kaluan për ndjekje penale Prokurorisë së Rrethit të Durrësit, përfunduan burimet e policisë portuale./ch/