English

Edmond Panariti, Kandidati I Parë Për Drejtimin E Degës Së Lsi-Së Së Tiranës

TIRANE, 14 Qershor /ATSH- A.Gegvataj/ - Një nga themeluesit e degës së LSI-së së kryeqytetit, prof. dr. Edmond Panariti, i paraqiti sot Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, Luan Rama, kërkesën për kandidimin për drejtues të kësaj partie në qarkun e Tiranës. Duke parashtruar në një konferencë për shtyp arsyet që e nxitën për të kandiduar si kryetar i kësaj force politike në kryeqytet, z. Panariti tha se "arsyet që më shtynë drejt kandidimit janë se unë jam një ndër themeluesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe një njohës i mirë dhe kontribues sistematik në strukturat e LSI-së së Tiranës". "Synimi im është që t'i rikthej dhe t'i jap një dimension dinamik, bashkëpunues për qytetarin Lëvizjes Socialiste për Integrim në qytetin e Tiranës", shtoi Panariti. Ai pohoi se "kandidimi im duhet parë edhe si një borxh, përgjegjësi dhe dëshirë që unë kam për t'i shërbyer qytetit, qytetarit dhe në fund të fundit është dëshira për ta parë Tiranën një qytet metropol evropian". Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, e vlerësoi z. Panariti si një kandidaturë dinjitoze që përfaqëson vlera intelektuale të admirueshme. "Duke administruar këtë kandidaturë ne çelim fazën e parë për zgjedhje për Kryetarin e LSI-së së Tiranës, i bindur se do të ketë edhe të tjera kandidatura dinjitoze", tha Rama./s.s./
KOMENTE