English

Ekonomi - Analizë - Euro Arrin E Kalon Kuotën 1,22 Dollarë Pas Rritjes Së Besimit Në Fuqinë E Rimëkëmbjes

LONDËR, 14 qershor /ATSH-AFP/ - Euroja pësoi sot një rritje të madhe përballë kartmonedhës së gjelbër, duke u këmbyer me më tepër se 1,22 dollarë për herë të parë brenda 10 ditëve, e nxitur nga një rritje besimi në fuqinë e rimëkëmbjes ekonomike botërore pas publikimit të treguesve qetësues në Evropë dhe në Japoni. Rreth orës 09:20 GMT (11:20 në Paris), euroja këmbehej me 1,2232 dollarë kundrejt 1,2106 dollarë ditën e premte në orën 21:00 GMT. Euroja u rrit gjithashtu përballë monedhës japoneze duke u këmbyer me 112,39 jenë kundrejt 110,94 jenë një ditë më parë. Prodhimi industrial vazhdoi të rritet në prill në zonën euro, me 0,8 për qind në krahasim me muajin e mëparshëm, mësohet nga të dhëna të publikuara sot. "Rritja në Kinë dhe në Japoni ndihmon gjithashtu në rritjen e besimit dhe dollari ra nga rekordet e arritura së fundi me shpresën se problemet aktuale të Evropës nuk do të ndikojnë në perspektivat për rimëkëmbjen ekonomike", komentoi Michael Hewson, analist tek CMC Markets. "Për më tepër, duket se rënia e fundit e euros mund ta ndihmojë zonën euro t'i kapërcejë problemet, duke forcuar perspektivat për rritje duke i bërë më pak të shtrenjta eksportet", thekson Hewson. Një analizë me të cilën bie dakord Christian Noyer, guvernator i Bankës së Francës, i cili theksoi se euroja është tashmë në një nivel "më normal" në krahasim me dollarin, që është i përshatshëm për konkurrencën e Evropës. "Një euro që ka arritur tashmë një pozicion më normal si ai i sotëm, lehtëson aktivitetin ekonomik, eksportet, konkurrencën e Evropës", u shpreh Noyer. Ndërsa presidenti i Bashkimit Evropian Herman Van Rompuy bëri përgjegjëse fuqinë e madhe që mori euroja së fundi në fshehjen e problemeve buxhetore brenda vendeve evropiane, në një intervistë publikuar në "Financial Times". /I.Pu.
KOMENTE