Elbasan: Digjen Plehrat E Qytetit, Probleme Për Lagjet Pranë
ELBASAN, 14 qershor/ATSH-Miranda Sadiku/ - Një zjarr me përmasa të mëdha ka rënë një natë më parë në fushën e grumbullimit të plehrave qytetin e Elbasanit, duke shkaktuar probleme në lagjen që ndodhet shumë pranë saj.
Për më shumë se dhjetë orë, banorët janë përballur me erën e rëndë të dyoksidit të karbonit dhe gazrave të tjerë helmues që çlirohen nga djegia në natyrë e grumbullimit të plehrave që ndodhet shumë pranë varrezave publike të qytetit.
Burime të Policisë dhe zjarrëfikëses në vendin e ngjarjes, bëjnë të ditur se "zjarri është ndezur ngadalë dhe për shkaqe që nuk dihen ende".
Janë qindra ton plehra e mbeturina inerete që janë grumbulluar prej kohësh në këtë vendgrumbullim. Reja e tymit ka mbuluar tri lagjet jugore të qytetit të Elbasanit, lagjen e Krasta e Vogël, Beqir Dardha dhe Çlirimi.
Shefi i Agjensisë Rajonale të Mjedisit (ARM), Adi Madhi, e ka cilësuar si shumë problematike situatën, ndërsa ka deklaruar se në vendin e ngjarjes kanë shkuar mjete të tonazhit të rëndë, të cilët po mundohen ta shuajnë zjarrin duke i hedhur shtresa dheu.
Nga ana e pushtetit lokal si dhe Këshillit të Qarkut janë duke u bërë studime për spostimin e plehrave të qytetit në një rezervuar të ish-Metalurgjikut në komunën e Paprit, por ende nuk është marrë një vendim. Aktualisht situata është nën kontroll, ndërsa kreu i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i bën thirrje komunitetit të mos ndezë zjarr në këtë vend grumbullim plehrash./ch/