Prishtinë, 14 Qershor, NOA - Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën ka konfirmuar përkushtimin e tij për integritetin territorial të Kosovës.
Në një deklaratë të nxjerrë prej këtij organizmi konfirmohet se “pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se GND do të vazhdojë të mbështesë Kosovën për njohje të mëtejshme”.
Më tej, thuhet se mendimi këshillues i Ghykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës paraqet një mundësi që Kosova dhe Serbia të lëvizin përpara në komunikim të drejtpërdrejtë në fushat në të cilat bashkëpunimi do të përmirësojë jetën e qytetarëve të tyre, duke qenë se bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe dialogu janë kyçe për stabilitet, zhvillim ekonomik dhe integrim në BE.
Më tej, GND i ka bërë thirrje qeverisë dhe institucioneve të Kosovës të përshpejtojnë progresin në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, në përmirësimin e dukshëm të kapaciteteve administrative dhe në vendosjen e qartë të sundimit të ligjit, ashtu që një progres i dukshëm në qeverisje do të jetë shumë i rëndësishëm për të siguruar që raporti i ardhshëm i progresit i KE-së të përçojë sinjal pozitiv për perspektivën evropiane të qytetarëve të Kosovës.
n.e/NOA