Itali - Peshkopë Nga E Gjithë Evropa Në Ceremoninë E Varrimit Të Padovese
MILANO, 14 qershor /ATSH-ANSA/ - Më tepër se 50 peshkopë nga e gjithë Evropa drejtuan sot ceremoninë e varrimit të kreut të Konferencës së Peshkopëve Turq, Monsinjor Luigi Padovese, i cili u vra me thikë në qytetin juglindor turk, Iskenderun javën e kaluar.
Gjatë një deklarate edhe në emër të Papa Benediktit XVI, i emëruari i Vatikanit në Turqi, kryepeshkopi Edmond Farhat, lëvdoi Padovesen për devotshmërinë e gjithë jetës së tij në krijimin e dialogut dhe pajtimit me besimet e tjera.
Kardinali Peter Erdo, kreu i Konferencës Episkopale të Evropës, e lavdëroi atë "si një njeri i paqes" dhe një intelektual i cili ishte i gatshëm tu ofronte ''miqësinë dhe bujarinë" të gjithëve.
Kryepeshkopi i Milanos, Dionigi Tettamanzi deklaroi se sakrifica e Padoveses do të "sillte fryte" për Kishën Katolike.
"Ai ishte një njeri u butë dhe inteligjent, një aktivist i vërtet i paqes dhe pajtimi", u shpreh Tettamanzi para turmës së besimtarëve të mbledhur në Sheshin 'Duomo' në Milano, ku të pranishëm ndodheshin edhe kryebashkiakja e Milanos Letizia Moratti, ministri i Mbrojtjes, Ignazio La Russa dhe guvernatori i rajonit të Lombardisë, Roberto Formigoni.
I lindur në Milano, Monsinjor Padovese ishte prifti i dytë katolik i vrarë nga një sulm me thikë në Turqi në katër vite, pas priftit misionar nga Roma, At Andrea Santoro, i cili u vra nga një adoleshent në kishën e tij në portin e Detit të Zi, Trabzon, në shkurt të vitit 2006.
Gjashtëmbëdhjetë vjeçari i cili vrau At Santoron bërtit "Allahu Akbar" para se të largohej nga vendngjarja.
Padovese ishte Apostuli i Anadollit që prej vitit 2004.
Akademik i cili kishte mbajtur poste të ndryshme në universitetet e Vatikanit, ai konsiderohej një ekspert i dialogut kristiano-mysliman dhe po punonte për ringjalljen e komuniteteve të mbytura kristiane në Turqi./
/i.p/