Prishtinë, 14 Qershor, NOA – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka deklaruar se procesi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë është politizuar shumë, megjithëse ka pranuar se gjatë viteve të kaluara ka patur shumë pak veprime konkrete.
Në një bisedë me BBC-në,i Krasniqi tha se çështja e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk duhet të mediatizohet dhe se sistemi i drejtësisë duhet ta kryej detyrën mbi bazën e Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi.
Por ai tha se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është reformuar dhe cilësoi atë si të korruptuar, prandaj sipas tij ky sistem e ka të vështirë të vihet në krye të luftës kundër dukurive negative.
Ai shprehu bindjen se nëse sistemi i drejtësisë vepron mbi bazën e fakteve dhe të dëshmive nuk do të ketë reagime në opinion edhe në rastin e arrestimeve të paralajmëruara.
Krasniqi tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është penguar nga zhvillimet e brendshme por, sipas tij, shtyrjet mund të kenë ndodhur për shkak të vonesës së shpalljes së vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Z.Krasniqi, a mendoni se zhgënjimi i opinionit në Kosovë, me dukuritë negative, po rritet?
Kanë qenë disa zhvillime me një temperaturë të ngritur. Ka pasur një shfaqje në forma të ndryshme në mjetet e informimit Procesi i luftës kundër dukurive negative, sic është krimi i organizuar dhe korrupsioni, është politizuar shumë, ndërsa gjatë gjithë këtyre viteve është vepruar tepër pak. Mendoj se lufta, propaganda, duke i shfrytëzuar edhe mjetet e informimit konsideroj se ka krijuar një perceptim të gabueshëm në përgjithësi. Ne kemi konsideruar dhe konsiderojmë se çështjet e luftës kundër dukurive negative nuk duhet të mediatizohen, nuk duhet të politizohen por përkundrazi sistemi i drejtësisë duhet ta kryej detyrën e vet sipas të drejtave që i ka me kushtetutë dhe me ligjet në fuqi.
Ju sikur po e hidhni gjithë fajin në një terren tjetër. Drejtësia nuk është marrë deri tani me këto çështje dhe me luftimin e dukurive negative në shoqërinë kosovare. A nuk ju duken paksa kundërthënëse gjithë këto që thatë deri tani?
Ndoshta duket pak kundërthënëse por një gjë është e vërtetë se gjatë gjithë këtyre viteve sistemi i drejtësisë në Kosovë që në një ose formën tjetër është drejtuar nga faktori ndërkombëtar ka mbetur vërtetë shumë i pareformuar, shumë jo veprues. Deri tani është folur me të madhe dhe është shkruar se një nga sistemet më të korruptuara në Kosovë është sistemi i gjyqësisë, sidomos gjyqësia, dhe asnjë hap konkret nuk ka pasur. Mund të them se një sistem, sic është gjyqësia, vetë e korruptuar e ka të vështirë të marrë dhe ta udhëheqë luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe dukurive negative në shoqëri. Prandaj, ne nuk po e hedhim fajin askund por po themi se sistemi i drejtësisë nuk e ka politikë-bërjen qëllim as për ta pyetur opinion se çfarë mendon, por e ka për obligim që të zbatojë kushtetutën dhe ligjet në fuqi për të luftuar të gjitha dukuritë negative.
Por është vlerësuar se në sistemin e drejtësisë, në atë të gjyqësisë ka patur edhe ndikime politike. Së fundi edhe ju vetë, si kryetar i Kuvendit, jeni akuzuar nga misioni i EULEX-it se po ndërhyni në sistemin e drejtësisë.
Në fakt mund të duket ashtu. E vërteta është se unë nuk kam ndërhyrë në sistemin e drejtësisë, por një pjesë e këtij sistemi është futë në komunikim me opinionin që nuk është punë e tij. Pavarësisht nga opinionet e publikut për krimin dhe korrupsionin, drejtësia nëse ka fakte dhe dëshmi, ajo nuk ka nevojë që ta mas atë punë me opinionin dhe publikun por vepron sipas ligjeve.
Me sa e kuptoj unë ju kërkoni që drejtësia ndërkombëtare t’ia lirojë rrugën drejtësisë kosovare?
Po në fakt do të ishte krejt normale dhe obligim parësor i drejtësisë kosovare do të ishte që ta kryente detyrën e vet, por po e përsëris se është për fat të keq se drejtësia kosovare nuk ka ndërtuar kapacitete, është vetë e korruptuar, prandaj në një masë ose tjetrën, ndoshta veprimi i EULEX-it, i gjyqësisë dhe prokurorisë së EULEX-it, është dashur të jetë më veprues edhe në vitin e kaluar.
Por ai ishte veprues këtë vit, me ndërhyrjen në njërën nga ministritë e qeverisë së Kosovës. A mos po acarohen marrëdhëniet e institucioneve të Kosovës me misionin e EULEX-it?
Mendoj se jo. Në fund të fundit institucionet e Kosovës kanë kërkuar dhe po kërkojnë, në mënyrë të veçantë edhe vetë qeveria, që gjithçka që bëhet të bëhet mbi bazën e fakteve dhe dëshmive dhe jo të bëhen gjyqe me opinionin dhe të politizohen çështjet…
Më falni që ju ndërpres zoti kryetar. Por a nuk ishte e mjaftueshme gjithë ajo dëshmi që është dhënë për nivelin e korrupsionit brenda qeverisë?
Ne edhe nuk duam të merremi me këtë çështje. Por vërejtja jonë kryesisht ka qenë se nga prokuroria është politizuar shumë kjo çështje. Megjithatë ne duam që sistemi i drejtësisë të veprojë mbi bazën e fakteve dhe dëshmive që i ka.
Zoti kryetar e besoni se institucionet e Kosovës, ashtu sic ka deklaruar kryeministri i vendit, janë të afta që të marrin përsipër barrën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit?
Kosova është duke i ndërtuar dhe reformuar institucionet. Megjithatë barrën kryesore për t’i luftuar këto dukuri negative e ka sistemi i drejtësisë, i cili kohët e fundit ka dhënë shenja se mund të merret me këto dukuri që nuk janë të lehta për një shoqëri që është në tranzicion.
Meqë është përfolur shumë mundësia e arrestime, nëse ndodh një gjë e tillë, a mund ta destabilizojë kjo qeverinë e Kosovës dhe vendin në tërësi?
Ne konsiderojmë se nëse sistemi i drejtësisë, e sidomos prokuroria e gjyqësia, veprojnë mbi bazën e fakteve dhe të dëshmive, që sipas meje për shumë vepra janë vonuar, sigurisht se nuk do të ketë reagime në opinion. Kjo për faktin se një pjesë e qytetarëve të Kosovës janë lodhur nga dukuritë e shumta negative dhe sigurisht se janë lodhur nga fjalët dhe premtimet e shumta që shpesh vijnë edhe nga opozita por edhe nga qarqe të tjera të caktuara.
A janë lodhur ata edhe nga qeveria e Kosovës, aktualisht?
Po ndoshta janë lodhur edhe nga qeveria e Kosovës por, konsideroj se gjatë këtyre dy viteve ose gjatë këtij mandati në Kosovë ka pasur një punë mjaft të madhe dhe është bërë punë, por ndonjëherë duket sikur edhe puna po kritikohet. Por një fjalë e urtë thotë se ai që punon edhe gabon.
Por a nuk po e dëmton procesin e njohjeve të Kosovës, gjithë kjo që po ndodh në vend?
Po krimi i organizuar dhe korrupsioni është një lloj dukurie, apo fenomen, i vendeve në tranzicion. Mendoj se vendet e ndryshme të botës edhe ato kanë probleme, ndoshta, në masa më të kufizuara me krimin e sidomos me korrupsionin. Por mund të them se deri më tani nuk është penguar njohja e shtetit sovran dhe të pavarur të Kosovës. Ndoshta në një masë njohjet e reja i ka penguar vonesa që po ndodh në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për dhënien e mendimit për të drejtën e shpalljes së shtetit sovran dhe të pavarur të Kosovës.
Por a mund të thuhet se mund të fillojnë bisedimet me Beogradin zyrtar pas këtij vendimi të Gjykatës. Posaçërisht e mund të bisedohet për veriun e Kosovës?
Unë mendoj se hë për hë edhe pala kosovare, edhe Beogradi por edhe BE dhe SHBA, janë duke pritur vendimin e GJND-së dhe pastaj mbi bazën e atij vendimi sigurisht që do të ketë lëvizje dhe biseda. Por bisedimet mes Prishtinës e Beogradit duhet të jenë kryesisht bisedime teknike se në fund të fundit pavarësia ka ndodhur. Qytetarët e Kosovës e kanë shpallur pavarësinë dhe ajo është njohur tani më nga 70 vende të botës. Që do të thotë se është mjaft.
BBC