English

Komisioni I Ekonomisë Miraton P/Ligjin Për Lehtesi Fiskale Me Kuvajtin

TIRANE, 14 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/.- Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi të hënën p/ligjin për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal me Kuvajtin. Ekspertë të politikave fiskale në Ministrinë e Financave gjatë debatit në Komision thanë se mostatimi i dyfishtë garanton dhe favorizon marrëdhëniet ekonomiko-tregtare mes dy vendeve. Relator i këtij p/ligji, deputet i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu, u shpreh se p/ligji krijon një bazë ligjore për trajtimin tatimor të individëve, personave juridikë shqiptarë apo kuvajtjane, që kanë veprimtari biznesi ose të ardhura të tjera që parashikohen ne juridiksionin tatimor të dy vendeve. "Në të përcaktohet qartë mënyra se si do të shmanget tatimi i dyfishtë, duke i dhënë të drejtën për tatimin e të ardhurave të caktuara vetëm njërit shtet, apo duke e ndarë këtë të drejtë ndërmjet dy shteteve, por pa e rënduar subjektin me tatim të dyfishtë", deklaroi Shehu. Në marrëveshje, sipas tij, çështjet më sensitive janë tatimi i dividentit dhe interesit. Shehu theksoi se deri tani qeveria shqiptare ka nënshkruar rreth 30 marrëveshje të tilla me shtete të ndryshme, me shumicën e të cilave qeveria shqiptare ka shkëmbime tregtare në nivele të larta. Edhe pse shkëmbimet tregtare të vendit tonë me Kuvajtin u vlerësuan në nivele të ulëta, Kryetari i këtij Komisioni, Edmond Spaho, u shpreh se marrëveshje të tilla kërkohen nga qeveritë dhe në rastin konkret nga Kuvajti për të paraprirë investimeve të mëdha. /a.ke/
KOMENTE