Prishtinë, 14 Qershor, NOA – I arrestuar para dy ditësh nga mëse 40 forca të njësisë speciale të Kosovës, lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pritet që të dalë sot në gjyqin e organizuar kundër tij nga Eulex.
Lajmin e ka bërë me dijeni zëdhënësja e këtij institucioni, Karim Limdal, sipas të cilës gjykimi do të fillojë në orën 10:00 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ndërsa i pranishëm do të jetë vetë i pandehuri Kurti, ndryshe nga seancat e mëparshme që janë zhvilluar në mungesë të tij.
Ndaj tij rëndon akuza e “thirrjes për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës, në të cilat u vranë dy protestues”, e cila është kërkuar të hidhet poshtë nga vetë prokuroria.
Tashmë ai pas plot 10 mungesave në seancat gjyqësore, do të thirret për t’u gjykuar ndërsa 175 mijë persona kanë nënshkruar një peticion pro lirimit të tij, ku përfshihen qytetarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.
Sipas lëvizjes “Vetëvendosje” arrestimi i Albin Kurtit është shprehje e frikës së pushtetit aktual në Kosovë, pas vendimit që kjo lëvizje mori për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.
“Është një proces tejet tendencioz politikisht dhe procesit të tillë duhet t’i rezistohet në çdo moment. Këtë e kanë shprehur edhe 175 mijë firma nga qytetarët anembanë vendeve të banuara me shqiptarë", deklaroi dje aktivisti Liburn Aliu, lidhur me një fakt të tillë.
n.e/NOA