Kukes: Vazhdojne Hetimet Ne Pisten E Rrembimit Per 6-Vjecaren Bleona Mata
KUKES, 14 qershor/ATSH-R.Hoxha./- Kërkimet për gjetjen e 6-vjeçares nga Zapodi, Bleona Mata, e zhdukur në mënyrë misterioze nuk kanë dhënë asgjë të re deri tani, por megjithatë, kërkimet dhe hetimet vazhdojnë.
Zëdhënësja e Policisë së qarkut të Kukësit, Odeta Popa tha sot për ATSH-në, se "Halla e vogëlushes, Alketa dhe një shoqja e saj që u dërguan në Tiranë për t'u pyetur nga prokurorët e Krimeve të Rënda janë kthyer në fshat".
"Ende nuk ka ndonjë gjë të re, ndonëse hetimet vazhdojnë në pistën e rrëmbimit", thotë nëndrejtori i Policisë së Kukësit, Xhaferr Elezi.
Dyshimet se vajzat, me të cilat ishte në kullotë 6-vjecarja mata mund të dinin dicka në lidhje me këtë ngjarje misterioze u përforcuan pas deklarimit të gjyshit dhe të jatit të saj, se kanë dëgjuar se ato kanë pyetur njëra tjetrën "a tregojmë drejt a jo".
Por pavarësisht rezultateve të deritanishme, kërkimet dhe hetimet vazhdojnë në të gjithë zonën.
6-vjecarja Bleona Mata humbi misteriozisht rreth orës 17.30 minuta në 22 maj dhe që asaj dite, nuk është gjetur asnjë gjurmë e saj, edhe pse kërkimet e hetimet në lidhje me këtë ngjarje të pazakontë janë shtrirë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni./n.m/