Ministri Vasili Apel Qytetarëve Për Dhurimin Vullnetar Të Gjakut
TIRANË, 14 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, u bëri apel sot në Ditën Botërore të Dhurimit Vullnetar të Gjakut, të gjithë qytetarëve të dhurojnë gjak në ndihmë të personave në nevojë për këtë produkt jetësor.
Gjatë një konference për mediat, ministri Vasili tha se "dhurimi i gjakut në Shqipëri vazhdon të jetë dhe mbetet element strategjik i MSH, për arsye se mungesa e gjakut do të thotë mungesa e një prej përbërësve jetikë në punën e përditshme të sistemit shëndetësor në vend, por dhe kudo gjetkë ku ky sistem ofrohet".
Lidhur me këtë orientim strategjik që i është dhene dhurimit të gjakut në vend, Vasili publikoi disa shifra të dhurimeve të gjakut në vend, krahasuar këto me vitin 2005, kur dhe është miratuar Strategjia përkatëse për Dhurimin e Gjakut. "Një nga shifrat më impresionuese është që, nëse në vitin 2005, 80 % e sasisë së gjakut sigurohej nga dhurues me pagesë, sot vetëm 20 % e kësaj sasie sigurohet nga këta dhurues", vuri në dukje ministri i Shëndetësisë. Në përgjithësi, në vitin 2009, numëroheshin 22 724 dhurime të gjakut, kundrejt 14 mijë që ishin në 2005.
Kjo do të thotë që pesha e dhuruesve vullnetarë është rritur në mënyrë të dukshme, gjë që përbën dhe rritje të dukshme të sigurisë së gjakut. Rritja e peshës së numrit të dhuruesve vullnetarë të gjakut, që ndodh në të gjithë Europën, kërkohet me insitim dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
"Kjo situatë na bën të jemi insitues në të ardhmen e afërt për këtë problem, duke pasur si objektiv të pandryshuar sigurimin thuajse 100 % të sasisë së gjakut nga dhurues vullnetarë. Në këtë mënyrë, Shqipëria përqafon një qëndrim strategjik të njëjtë me Europën, më të qytetëruar, dhe u shton elementë sigurie qyetarëve të vet", nënvizoi Vasili.
Çdo dhurim gjaku, sipas tij, "do të thotë shpëtim jete dhe në këtë mënyrë ne kemi konceptuar këtë problematikë në vendin tonë".
"Dhurimi i gjakut është veprim human, ndërsa nga ana shëndetësore nuk i bën dëm organizimit të njeriut, por vetëm mirë. Nga ana tjetër, jemi të qetë që kur të afërmit, apo njohurit tanë të kenë probleme mjekësore, nuk do të ketë problemin e gjakut", tha ministri Vasili.
Por, ministri i Shëndetësisë konsideroi ditën e sotme ditën e nxjerrjes së disa konkluzioneve të rëndësishme, pasi "provimi" i dhurimit vullnetar të gjakut është gjithëvjetor. Me këtë rast, ai falenderoi çdo dhurues vullnetar të gjakut, pasi "është vullnet pozitiv që radhit Shqipërinë në vendet me mentalitetin e duhur për t'iu qasur dhe përballuar me këtë problem".
Gjithashtu, ministri Vasili përcolli një falenderim të veçantë edhe për partnerët e MSH, si Kryqi i Kuq Shqiptar, OBSH, por dhe të gjithë organizata joqeveritare që operojnë në këtë drejtim, për promovimin e dhurimin të gjakut në mënyrë gjithëvjetore. /a.ke/