"Pranverë Art 2010", Në Muzeun Historik Kombëtar
TIRANË, 14 Qershor/ATSH-Suada Daci/.- Rreth 70 artistë shqiptarë, piktorë, skulptorë, grafistë, kanë çelur në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë ekspozitën në pikturë dhe skulpturë "Pranverë art 2010".
"Ideja për realizimin e kësaj ekspozite ishte e kolegut tonë, Llambi Blido, i cili ju referua ekspozita e "Pranverës e viteve 1972", të cilën regjimi totalitar i asaj kohe e ndërpreu sepse, sipas tyre, ajo kaloi në ekstrem", thotë në një prononcim për ATSH-në skulptori Sotir Kosta, njëri nga pjesëmarrësit në këtë ekspozitë.
Ai tregon se "janë mbi 70 punime në pikturë e skulpturë, ku shumë artistë janë prezantuar me dy punime. Në këtë ekspozitë ka një përzierje moshash, kualitetesh, nga më të moshuarit, ata që kanë bërë emër gjatë karrierës së tyre e deri te më të rinjtë".
Duke u ndalur te punimi i tij, skulptori Sotir Kosta thotë se "jam përfaqësuar me portretin e një lumjani, të cilin kam kohë që e kam realizuar, duke bërë një trajtim të skulpturës së hershme me atë të ditëve tona".
Sipas tij, ekspozita "Pranverë art 2010" "ka vlera para se ne i kthehemi një tradite, e cila na u shua provizorisht për një stinë të bukur si Pranvera, dhe vlera tjetër është që duhet të kemi më shumë pjesëmarrje në ekspozita krahas atyre individuale".
Kosta tha se "shumica e krijuesve e kanë pëlqyer dhe përkrahur këtë ekspozitë", dhe se "duam që kjo traditë të vazhdojë çdo vit".
Në këtë ekspozitë janë paraqitur me punimet e tyre Pashk Përvathi me dy peizazhe, Adnan Veseli, Adrian Devolli, Agim Kadillari, Aleksandër Filipi, Anastas Konstadini, Andrea Demçe, etj.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 20 qershor./s.s./