English

PS, Berishës: I sëmuri i bllokut, çlirohu nga pesha e rëndë e kutive të mbyllura

Tiranë, 14 Qershor, NOA – Ndërsa deputetja Kodheli më herët i kërkoi kreut të mazhorancës dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, të bëjnë transparencën e ekonomisë shqiptare që po shkon drejt rrënimit të sigurt, një tjetër deklaratë mbërriti rishtas nga selia rozë, ku kryeministrit Berisha i kërkohet të çlirojë peshën e rëndë të asaj çka fshehin kutitë e mbyllura, mostransparenca e të cilave po i kushton edhe rrënimit e gjendjes së tij psikike.

“Qetësohuni zoti Berisha. Çlirohuni nga pesha e rëndë e kutive të mbyllura dhe lëreni lojën e dështuar të përbaltjes me shpifje e të shara ndaj Bashkisë së Tiranës, pasi të gjithë e kanë marrë vesh, se ju i keni vjedhur zgjedhjet dhe se rrënimi ekonomik është vepra juaj”, deklaroi zëdhënësja e PS, Armela Imeraj.

Duke shprehur shqetësimin për gjendjen e amullt psikologjike që po kalon kryeministri, i cili sipas socialistëve nuk po e mban dot më, ngarkesën e madhe të të gjitha atyre që fsheh, për zgjedhjet, drejtësinë dhe ekonominë, Imeraj në emër të Partisë Socialiste, i drejtoi një thirrje mazhorancës, “qetësohuni, hapini rrugë transparencës, tregoni të vërtetën për gjendjen e ekonomisë që të shpëtoni nga makthet, të cilat ju bëjnë të flisni përçart kur përpiqeni të bëni pis kundërshtarët”.

“Nga doktori i dikurshëm i bllokut, këto makthe ju bëjnë të dukeni sot, si i sëmuri i atij blloku, që ekziston tanimë vetëm në përçartjet tuaja”, i ka dhënë përgjigje zëdhënësja e Partisë Socialiste, Armela Imeraj, akuzave të mazhorancës, se gjoja në krye të Partisë Socialiste janë “bllokmenët e rinj”.

mit/NOA
KOMENTE