English

Raporti i DASH: Shqipëria, ende burim për trafiqet e qenieve njerëzore

Uashington, 14 Qershor, NOA - Shqipëria është ende një vend burim për njerëz që i nënshtrohen trafikimit të tyre, në mënyrë specifike prostitucionit të detyruar dhe punës së detyruar, përfshirë këtu edhe lypjen e detyruar të fëmijëve.

Një fakt i tillë është cituar në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Trafikimin e Personave, i cili citon se viktimat shqiptare i nënshtrohen kushteve të punës së detyruar dhe trafikimit të seksit brenda Shqipërisë dhe Greqisë, Italisë, Maqedonisë, Kosovës dhe Europës Perëndimore.

Më poshtë, pjesa e plotë e raportit ku flitet për Shqipërinë:

“Shqipëria është një vend burimi për burra, gra, dhe fëmijë që i nënshtrohet trafikimit të personave, në mënyrë specifike prostitucionit të detyruar dhe punës së detyruar, përfshi lypjen e detyruar të fëmijëve. Viktimat shqiptare i nënshtrohen kushteve të punës së detyruar dhe trafikimit të seksit brenda Shqipërisë dhe Greqisë, Italisë, Maqedonisë, Kosovës dhe Europës Perëndimore. Afro gjysma e viktimave që u referuan për përkujdesje brenda vendit gjatë vitit 2009 ishin shqiptare; këto ishin kryesisht gra dhe vajza që i nënshtroheshin kushteve të prostitucionit të detyruar në hotele dhe rezidenca private në Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Fëmijët në radhë të parë shfrytëzoheshin për lypje dhe forma të tjera të punës së detyruar. Ka të dhëna që burra shqiptarë i janë nënshtruar kushteve të punës së detyruar në sektorin bujqësor në Greqi dhe vende të tjera fqinje. Qeveria e Shqipërisë nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, është duke bërë përpjekje domethënëse për ta bërë këtë. Qeveria vazhdoi të përmirësonte kapacitetin e saj për të identifikuar, mbrojtur dhe ri-integruar viktimat e trafikimit. Ajo ndoqi penalisht me sukses disa kundra-vajtës të trafikimit të seksit, duke çuar në imponimin e ndëshkimeve domethënëse gjatë periudhës së raportimit. Në mars 2009, qeveria miratoi një ndryshim në ligjin mbi Ndihmën Sociale, i cili do t’u ofrojë viktimave të trafikimit të njëjtat përfitime sociale si dhe grupeve të tjera në rrezik në Shqipëri dhe financim të qeverisë për strehat. Qeveria vazhdon të gjurmojë dhe analizojë tendencat e trafikimit me anë të një baze të dhënash kombëtare. Zyrtarët e qeverisë kanë rritur vëmendjen publike ndaj trafikimit në Shqipëri. Megjithatë, pati shqetësime serioze mbi mbrojtjen e viktimave që dëshmonin kundër trafikuesve të tyre. Qeveria nuk ndoqi penalisht në mënyrë energjike kundra-vajtësit e trafikimit të punës dhe nuk trajtoi sa duhet bashkëfajësinë e lidhur me trafikimin. Mungesa e vullnetit politik dhe bashkëpunimit në disa agjenci qeveritare kyçe pengoi aftësinë e gjithanshme të qeverisë për të ndjekur penalisht në mënyrë energjike të gjitha format e trafikimit. Rekomandimet për Shqipërinë: Të sigurojë identifikimin pro-aktiv të personave që shfrytëzohen brenda sektorëve të tregtisë dhe punës në Shqipëri si dhe të intensifikojë partneritetet me OJQ-të për të rritur zbulimin dhe referimin e të gjitha viktimave të trafikimit; të përmirësojë sigurinë e viktimave që bashkëpunojnë si dëshmitarë në gjykatë duke zbatuar në mënyrë më energjike ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve për viktima të tilla si dhe duke ndjekur planet për të krijuar një avokat viktimë-dëshmitar brenda Prokurorisë së Përgjithshme; të shqyrtojë ngritjen e një fondi të përgjithshëm për mbrojtjen dhe ri-integrimin e viktimave duke përdorur asetet e kapura nga Gjykata e Krimeve të Rënda prej kundravajtësve të trafikimit; të finalizojë projektligjin që u ofron ndihmë ri-integrimi viktimave pasi ata të largohen nga strehat si dhe ndihmë strehave; të përmirësojë identifikimin, mbrojtjen dhe shërbimet e specializuara për viktimat fëmijë të trafikimit; të ndjekë penalisht në mënyrë agresive kundra-vajtësit trafikues të punës dhe zyrtarët ligj-zbatues që janë bashkëfajtorë në trafikimin njerëzor; dhe të vazhdojë të përmirësojë përpjekjet për grumbullimin dhe analizën e të dhënave në gjurmimin e hetimeve, ndjekjeve penale dhe ndëshkimeve. Ndjekja Penale Qeveria e Shqipërisë vazhdoi përpjekjet e saj për zbatimin e ligjit kundër trafikimit gjatë periudhës së raportimit. Shqipëria ndalon penalisht trafikimin e seksit dhe punës me anë të kodit të saj penal, i cili parashikon ndëshkime nga 5 deri në 15 vjet burgim. Këto ndëshkime janë mjaftueshëm shtrënguese dhe kapërcejnë ato të parashikuara për krime të tjera të rënda, të tilla si përdhunimi. Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda raportuan hetimin e 35 trafikuesve të dyshuar në vitin 2009. Qeveria ndoqi penalisht 31 kundra-vajtës të dyshuar për trafikim në vitin 2009, duke dënuar 11 prej tyre; kjo është në kontrast me 26 kundra-vajtës trafikimi të dënuar në vitin 2008 dhe shtatë në vitin 2007. Të gjitha ndjekjet penal edhe dënimet kishin të bënin me trafikimin e seksit ndaj femrave dhe fëmijëve. Në vitin 2009, dënimet e imponuara për kundra-vajtësit e dënuar të trafikimit varionin nga 5 deri në 16 vjet burgim. Korrupsioni i kudogjendur në të gjitha nivelet dhe sektorët e e shoqërisë Shqiptare penguan seriozisht aftësinë e qeverisë për të trajtuar problemin e saj të trafikimit, sipas vëzhguesve vendas. Ndërkohë që nuk pati fillime ndjekjeje penale për bashkëfajësi të lidhur me trafikimin, Gjykata e Lartë hodhi poshtë dënimet e trafikantëve në dy çështje në vitin 2009, duke ngritur shqetësime lidhur me paanshmërinë e gjykatës. Në janar 2009, qeveria raportoi se kishte dyfishuar numrin e hetuesve policorë për të hetuar trafikimin. Gjykata e Krimeve të Rënda kapi dhe konfiskoi me sukses asete dhe prona të trafikantëve me vlerë $268,115, gjatë vitit 2009. Qeveria, në partneritet me aktorë të tjerë përkatës, vazhdoi trajnimin rutinor anti-trafikim për rekrutët e policisë, personel policor në shërbim, si dhe persona të tjerë në vijën e parë, gjatë vitit 2009. Qeveria gjithashtu vazhdoi trajnimin anti-trafikim për 200 gjyqtarë, prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore. Mbrojtja Qeveria e Shqipërisë mori disa hapa për të përmirësuar përpjekjet e saj për të identifikuar dhe mbrojtur viktimat e trafikimit gjatë vitit 2009. Qeveria vuri në zbatim Mekanizmin Kombëtar të Referimit dhe zhvilloi takime me aktorë përkatës për të përmirësuar funksionimin e tij. Mekanizmi identifikoi 94 viktima të trafikimit gjatë vitit 2009, krahasuar me 108 në vitin 2008. Streha e vetme e qeverisë ndihmoi 24 viktima dhe OJQ-të ndihmuan 70 të tilla gjatë periudhës së raportimit. Në vitin 2009, qeveria ofroi trajnim profesional falas për 38 viktima, u ofroi 11 viktimave hua mikro-kredie për të filluar biznese private dhe integroi pesë viktima në shkollë. Në janar 2010, miratoi një projektligj për të ofruar ndihmë sociale për viktimat e trafikimit gjatë kohës kur largohen nga strehat deri sa gjejnë punësim. Strehat e administruara nga OJQ-të vazhduan të mbështeteshin në radhë të parë tek fondet e donatorëve të ndërkombëtarë me qëllim që të ofronin shërbime të gjithanshme për viktimat e trafikimit. Qeveria vazhdoi të financonte dhe administronte një qendër pritjeje që strehonte si viktimat e trafikimit ashtu edhe migrantë të huaj të çrregullt të identifikuar brenda territorit të vendit; megjithatë, liria e lëvizjes e viktimave shpesh kufizohet në këtë qendër të sigurisë së lartë. Qeveria nuk penalizoi viktimat për akte të paligjshme të kryera në lidhje me të qenurit e tyre të trafikuara dhe, me ligj, ofroi alternativa ligjore ndaj largimit të viktimave të huaja në vende ku mund të përballeshin me vështirësi apo ndëshkime, edhe pse asnjë viktimë nuk mori alternative të tilla ligjore gjatë periudhës së raportimit. Qeveria nxiti viktimat që të merrnin pjesë në hetimet dhe ndjekjen penale të kundra-vajtësve të trafikimit; megjithatë, viktimat shpesh refuzuan të dëshmonin ose ndryshonin dëshmitë e tyre si pasojë e kërcënimeve nga trafikantët apo nga frika e kërcënimeve. Në disa raste në vitin 2009, policia nuk ofroi mbrojtje për viktimat e trafikimit kur dëshmonin kundër trafikuesve të tyre, duke i detyruar viktimat të mbështeteshin ekskluzivisht tek OJQ-të për mbrojtje. Në vitin 2009, një dëshmitare viktimë mori azil në një vend tjetër për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme nga trafikuesit dnaj saj dhe familjes së saj dhe shqetësimeve se qeveria nuk mund ta mbronte sa e si duhej. Prokuroria e Përgjithshme nuk kërkoi mbrojtje të dëshmitarëve për viktimat e trafikimit gjatë vitit 2009. Parandalimi Qeveria e Shqipërisë vazhdoi partneritetet me organizatat ndërkombëtare për të zbatuar veprimtari të parandalimit të trafikimit që synonin informimin e publikut dhe grupeve të prekshme mbi trafikimin. Zyra e Koordinatorit Kombëtar vazhdoi të menaxhonte grupe pune rajonale anti-trafikim që përbëheshin nga aktorë përkatës gjatë vitit 2009. Megjithatë, këto grupe pune, sipas raportimeve, nuk përfshijnë gjithmonë aktorë të shoqërisë civil edhe nuk trajtonin me efiçencë çështje të trafikimit që silleshin në vëmendjen e tyre. Qeveria vazhdoi të financonte linjën kombëtare 24-orëshe falas për viktimat dhe viktimat e mundshme të trafikimit. Në nëntor 2009, qeveria miratoi legjislacion për të përmirësuar procesin e regjistrimit për lindjet e reja dhe individët në komunitetin rom; procedurat e sikletshme të mëparshme i bënin shqiptarët dhe romët e paregjistruar shumë të prekshëm ndaj trafikimit.

NOA

KOMENTE