English

Sejdiu: Kosova Do Te Levize Shpejt Ne Proceset E Integrimit

PRISHTINË, 14 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Kosova do të lëvizë shpejt në proceset e integrimit, tha sot Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, në konferencën e Liderëve të Rinj Evropiane, në Prishtinë. Presidenti Sejdiu i falënderoi organizatorët dhe të gjithë të pranishmit për organizimin e kësaj konference edhe për faktin se kësaj radhe mikprites është kryeqyteti i Kosovës. "Unë besoj se ashtu sikunder prezantoni vendet tuaja, ju prezantoni po ashtu edhe vlerat e brezit të ri, vlerat e demokracisë së vendeve nga vini. Prandaj, për ne është shumë e rëndësishme që Prishtina këtë radhë është mikpritese e këtij tubimi kaq me peshë", tha Presidenti Sejdiu. Duke folur për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, Presidenti Sejdiu tha se Kosova, populli dhe institucionet e saj, kanë sfida nga më të ndryshmet, por do të punohet në vijimësi për tejkalimin e tyre, në mënyrë që të lëvizet shpejt drejt proceseve të integrimit. "Kosova është një shtet i ri, që ka pretencën të lëvizë shpejt në proceset integruese. Dëshira jonë e perhershme dhe vizioni themelor është që të jemi shtet i të gjithë qytetarëve, atdhe i dashur për të gjithë. Sigurisht, kemi rezultate të mira, por kemi edhe sfida", theksoi ai, duke shprehur besimin për mbështetjen e vazhdueshme. /a.ke/
KOMENTE