English

Shba - Rreth 12,3 Milionë Persona Viktima Të Trafikut Të Qenieve Njerëzore

UASHINGTON, 14 qershor /ATSH-AFP/ - Rreth 12,3 milionë persona kanë qenë viktima të trafikut të qenieve njerëzore në botë gjatë vitit 2009-2010, mësohet nga raporti i përvitshëm i paraqitur sot nga diplomacia amerikane. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, e përmend në këtë dokument "progrese të dukshme" që prej publikimit të raportit të parë përpara 10 vjetëve, në kuadrin e miratimit të një ligji amerikan lidhur me çështjen. "Një numër më i madh viktimash janë mbrojtur, më tepër raste janë bërë objekt i ndjekjeve penale", theksohet në hyrje të raportit. Diplomati amerikan Luis C. de Baca, i cili paraqiti raportin, përmendi disa "përmirësime" gjatë vitit 2009-2010, por "jo medoemos një rënie të numrit të viktimave". Një nga arsyet, thekson ai, është zhvillimi më sistematik i ndjekjeve penale. Sipas tij, "suksesi në vitet e ardhshme, do të manifestohet me një rritje të numrit të rasteve të zbuluara". Sipas të njëjtit burim, skllavëria moderne, puna e fëmijëve, prostitucioni i detyruar mbeten sidoqoftë tragjedi të shpërfillura gjerësisht, pasi më pak se 0,5 për qind të viktimave janë identifikuar. Përqindja e viktimave është gjithashtu pothuaj sa dyfishi në Azi në krahasim me pjesën tjetër të botës. Dy vende të tjera, Kuba dhe Republika Dominikane, i shtohen këtë vit listës së vendeve që trafikojnë qeniet njerëzore duke qëndruar në shkallët e fundit të klasifikimit. Dy të tjera, Maqedonia dhe Zvicra, konsiderohen tashmë si vende që e respektojnë plotësisht ligjin amerikan që e ndëshkon trafikimin e personave. Më në fund Shtetet e Bashkuara vlerësohen për herë të parë, dhe marrin notën 1, më e mira e mundshme ndër 4. Rënia e vlerësimit mund të çojë në anulimin e disa ndihmave, por vlera e saj në përgjithësi është më tepër simbolike. /I.Pu.
KOMENTE