Sport- Botëror- Të Gjithë Kundër "Vuvuzelave" Afrikane
TIRANË, 14 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ - Kanë mjaftuar vetëm tre ditë nga botërori, që të gjithë të bien në një mendje: vuvuzelat e Afrikës duhet të zhduken nga stadiumet.
Trumbetat që gumëzhijnë gjatë gjithë lojës, nuk u pëlqejnë aspak telespektatorëve, mediave, dhe sidomos futbollistëve e trajnerëve.
Leo Mesi është një nga ata që është ankuar më tepër: "Nuk kuptohet asgjë, pasi nuk mund t'u flasësh dot shokëve të skuadrës".
Të njëjtin shqetësim shtroi edhe kapiteni i Francës, Patris Evra: "Për faj të borive, nuk arrijmë të kuptohemi në fushë. Madje as nuk mund të flemë natën, pasi ato fillojnë në dëgjohen që në 6 të mëngjesit".
"Kemi pasur disa ankesa. Disa herë kemi provuar të vendosim rregull. Kemi kërkuar që "vuvuzelat" të mos bien gjatë himneve kombëtare dhe gjatë kohës kur ndërhyn folësi i stadiumit.
Është e vështirë, por po bëjmë të pamundurën. Nëse vazhdojnë të krijojnë shqetësime, mund t'i heqim fare", tha presidenti i komitetit organizator të "Afrika e Jugut 2010", Deni Xhordan. Po si mund të krijohet atmosferë nga tifozët në stadium? "Më mirë le të këndojnë" , u shpreh ai. /a.ke/