Sport-Futboll/ Rikthehn Donatorët Tek Tirana, Gati Për Të Sponsorizuar Për Klubin
TIRANË, 14 Qershor/ ATSH-Gjergji Mima/ .- Skuadra e Tiranës ka njohur sot tre donatorët e saj për sezonin e ardhshëm.
Sipas burimeve nga klubi kryeqytetas, ata do të jenë Refik Halili, Agron Papuli dhe Shefikat Ngjela. Halili ka mbajtur rolin e presidentit të Tiranës gjatë sezonit të shkuar deri në datën 31 maj, ndërsa Ngjela dhe Papuli rikthehen të financojnë për kryeqytetasit, pasi u larguan për rreth një vit nga klubi bardheblu.
Në këtë mënyrë është zgjidhur edhe problemi kryesor i Tiranës për sezonin e ardhshëm, në një moment kur ekipi pret të njohë në 21 qershor kundërshtarin për Ligën Evropane.
Tirana rrezikonte seriozisht shpërbërjen, ku 7 lojtarë pa kontratë, mes të cilëve edhe kapiteni Devi Muka, kishin kërcënuar me largim në rast se nuk zgjidhej çështja e financimit të klubit.
Tashmë tre sponsorët dhe shefi i klubit, Rauf Dimraj, do të nisin menjëherë nga puna për të ndërtuar Tiranën e sezonit të ardhshëm dhe hapi i parë do të jetë rinovimi i kontratave me disa nga lojtarët kryesorë të ekipit./s.s./