Stina E Verës-Msh: Kalendar Për Dhurimin Vullnetar Të Gjakut Nga Strukturat Shëndetësore
TIRANË, 14 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Strukturat shëndetësore shqiptare do të dhurojnë gjak sipas një kalendari të përcaktuar më parë për të siguruar rezervat e nevojshme me gjak gjatë stinës së verës.
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, tha për mediat se element i rëndësishëm në strategjinë tonë është që, duke çmuar veçoritë që ka në këtë drejtim stina e verës, për herë të parë këtë vit është planifikuar një amortizator i paaplikuar më parç, duke bërë një kalendar të dhurimit nga të gjithë strukturat shëndetësore shqiptare.
Tashmë është e ditur që gjatë stinës së verës ka ulje të numrit të dhurimeve të gjakut jo vetëm në Shqipëri, por dhe gjithë Europën, për shkak të mbylljes së aktiviteteve publike, mosprogramimit të operacioneve kirurgjikale që transferohen në shtator, etj. Ndërkohë, kjo masë, tha Vasili, është marrë "për të siguruar që dhe vera të jetë e mbuluar me rezervat e domosdoshme me gjak, duke vlerësuar shtimin e traumës në këtë periudhë, për shkak të lëvizjes së pushuesve dhe qytetarëve dhe për të qenë të përgatitur për këtë emergjencë shëndetësore".
Nevojat e pacientëve për gjak janë në rritje si rezultat i shtimit të numrit të traumave, sëmundjeve tumorale, krahas kërkesave të vazhdueshme të personave që vuajnë nga sëmundje kronike si ato të gjakut, veshkave, etj.
Arritja e vetëmjaftueshmërisë në rezervat e gjakut vazhdon të jetë një pikë e ndjeshme për shërbimin tonë shëndetësor, përderisa sasia e gjakut të mbledhur në vend nuk plotëson si dhe sa duhet kërkesat e spitaleve dhe nevojat e pacientëve.
Të ndërgjegjshëm se plotësimi i nevojave për gjak në vendin tonë është një sfidë mjaft e vështirë, struktuarat shëndetësore në vend, në bashkëpunim me organizata joqeveritare që operojnë në këtë fushë, por dhe gjithë qytetarët, po bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë veprimet e tyre.
Në këtë kontekst, këto struktura inkurajojnë popullatën të bëhen dhurues gjaku, pasi secili prej nesh mund të kontribuojë për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Treguesit në rritje të dhurimit të gjakut gjatë viteve të fundit dëshmojnë rritjen e ndërgjegjes dhe përgjegjësisë qytetare për njerëzit në nevojë.
Dita e sotme është shoqëruar me aktivitete të shumta për sensibilizimin e dhurimit vullnetar të gjakut, të cilat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Ambasada amerikane në Tiranë i është bashkuar sot apelit të strukturave shëndetësore, ndërkohë që disa ditë më parë ishin punonjësit e Ministrisë së Transporteve dhe Bashkisë së Tiranës që dhuruan gjak.
Në orët e pasdites, Shoqata e Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut (DHVGJ) ka organizuar një aktivitet, të konceptuar në formën e koncerti dhe kokteil, për sensibilizimin e qytetarëve për të dhuruar gjak, në ndihmë të njerëzve në nevojë.
Dhurimi vullnetar i gjakut është shprehja më e qartë e humanizmit njerëzor dhe njëherësh forma më e mirë e mbledhjes së gjakut cilësor dhe të sigurtë për pacientët në nevojë./s.s./