Prishtinë, 14 Qershor, NOA – Pas ideve të hedhura për ndërtimin e një autostrade të re moderne që të lidhë Shqipërinë me Kosovën, shfrytëzimit të përbashkët të porteve etj, një kërkesë e re ndryshe mbërrin nga të rinjtë kosovarë lidhur me atë që ata e quajnë “Bashkim i Kombit”.
Bëhet fjalë për pretendimin e hedhur nga organizata kosovare e të rinjve me emrin “Lëvizja Rinore për Bashkim”, për të patur edhe Kosova në mënyrë zyrtare të njëjtin prefiks telefonik si Shqipëria, + 355.
Kështu, nën emërtimin “Aksioni +355”, të rinjtë e kësaj organizate paralajmërojnë vendosjen e një pllakate para godinës së qeverisë së Kosovës, me kërkesën që ajo “pa asnjë vonesë të fillojë bisedimet me organet përkatëse të Republikës së Shqipërisë për shfrytëzimin e përbashkët të kodit telefonik shqiptar”.
“Kështu do të shkëpusnim edhe një lidhje me shtetin serb, përkatësisht në vend të prefiksit serb + 381 ne do te kishim prefiksin shqiptar + 355”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga të rinjtë e këtij organizmi.
Duke shtuar se “në kuadër të këtij aksioni, sot në mbarë qytetin e Prishtinës do të shpërndahen fletëpalosjet me sqarimin e plotë në lidhje më këtë çështje, ndërsa mbrëmë të rinjtë e organizatës në shumë qytete të Kosovës kanë vendosur pllakatën me këtë përmbajtje”.
n.e/NOA