Tiranë, Vazhdon Kaosi Në Trafik, Qytetarët Të Shqetësuar
TIRANË, 14 Qershor/ATSH- Mira Shkurta/. - Edhe sot Bashkia e kryeqytetit ka vendosur të bëjë indiferentin për zgjidhjen e situatës së krijuar prej ditësh në trafik dhe alternativa e vetme, që ajo i ofron qytetarëve për të mbaruar punët e ditës, duket se është qarkullimi në këmbë, pa folur për kushtet për t'i bërë rrugët të sigurta e me standarde.
Përballë kësaj gjendje të rënduar të trafikut në Tiranë, megjithë angazhimin e Policisë, si dhe kërkesat e herëpasherëshme të kësaj të fundit për bashkëpunim dhe gjetjen e një zgjidhjeje për zhbllokimin e situatës, autoritetet lokale, veç lojës me nervat e qytetarëve, edhe sot nuk bënë asnjë përpjekje për përmirësimin e kësaj situate.
Bashkia e kryeqytetit vazhdon me bllokimin e akseve rrugore, pa hapur segmente të tjera që do të lehtësonin lëvizjen e mjeteve në kryeqytet, veçanërisht në qëndrën e saj.
I futur në një ngërç total prej ditësh, për shkak të punimeve të nisura nga data 28 mars në sheshin "Skënderbej", si dhe një skeme të pastudiuar të lëvizjes së mjeteve, trafiku i Tiranës gjendet në një amulli totale.
Mijëra qytetarë edhe sot nuk arritën të mbërrinin në kohë në vendet e punës apo destinacionet e tjera, plus kostos që duhet të marrin me harxhimin e karburantit.
E në këtë lëmsh trafiku, nervozizmi sa vjen e rritet mes drejtuesve të automjeteve. Stresi ka sjellë edhe sherret momentale mes drejtuesve të automjeteve, të cilët për shkak të ngarkesës psikologjike të krijuar nga pamundësia e lëvizjes normale me makinë, i shfryjnë nervat e tyre tek njëri-tjetri.
Devijimi i ri i qarkullimit të makinave që vijnë nga rruga e Durrësit, si pasojë e punimeve në sheshin "Skënderbej",si edhe fluksi i madh i automjeteve, ka shkaktuar një trafik të dendur në këtë zonë.
Më problematik, trafiku është në orët e para të mëngjesit, përpara Muzeut Kombëtar dhe në kryqezimin te rruga e Durrësit, ku trafiku është i rënduar thuajse për gjatë gjithë ditës.
Drejtuesit e automjeteve bëjnë shkaktar për kaosin devijimin e lëvizjes në disa akse që lidhen me sheshin "Skënderbej", çka i bën ata të presin për një kohë të gjatë të bllokuar në rrugë.
Drejtuesit e automjeteve që përshkojnë bulevardin "Zogu I", tashmë nuk mund të hyjnë më në sheshin "Skënderbej", por duhet të kthehen në rrugën "Ded Gjo Luli", pas Muzeut Kombëtar.
Nëse këta shoferë duan të lidhen me rrugën e Dibrës tani u duhet të kthehen tek rruga pas Bankës së Shqipërisë, pranë selisë së PS-së..
Sipas planit të Bashkisë, makinat nuk do të futen për në qendër nga rrugët kryesore si rruga e Durrësit, ajo e Kavajës, apo edhe rruga që vjen nga Stacioni i Trenit, por vetëm nga rruga e Gjykatës së Lartë.
Për pasojë, gjithçka ka bllokuar edhe akset e tjera rrugore nëpër Tiranë, që lidhen ose jo drejtpërdrejt me sheshin "Skënderbej".
Duket se për një kohë të gjatë trafiku në kryeqytet do të jetë peng i planeve të pastudiuara dhe testeve të palajmëruara në kurriz të qytetarëve.
Të lodhur nga kjo gjendje, shumë qytetarë janë të detyruar që të përshkojnë km rrugë në këmbë për të përmbushur detyrimet apo punët e tyre gjatë ditës.
E nuk mjafton me kaq, veç punimeve në sheshin "Skënderbej", një tjetër problem që shkakton mbitrafik në rrugët e Tiranës , është edhe mungesa e një plani për ngritjen e vendeve të parkingut nga Bashkia e Tiranës.
Vendet për parkimin e makinave në kryeqytet, në krahasim me numrin e automjeteve janë pakësuar dhe mungesa e vendeve të lira është kthyer në një problem serioz për drejtuesit e automjeteve.
Në se çdonjërit prej nesh do t'i duhet të lëvizë me makinë për të kryer detyrat e ditës në Tiranë, përveç se duhet të qëndrojë me orë të tëra në trafik, vështirë se gjen një vend të lirë për të parkuar.
Specialistë dhe ekspertë të fushës së Qarkullimit janë shprehur të shqetësuar për ndërhyrjet e vazhdueshme që po bëhen së fundmi në rrugët e kryeqytetit , si dhe standardet e ofruar nga Enti Pronar i Rrugëve lidhur me sigurinë që ofrojnë, duke filluar nga inxhinierimi, vendosja e sistemeve të sigurisë, sinjalistika rrugore, si dhe të gjithë elementeve të tjerë.
Në një pjesë të mirë të rrugëve në kryeqytet, veç problemeve që hasen çdo ditë me fluksin e madh të qarkullimit, shqetësuese mbetet sinjalistika rrugore. Mungojnë korsitë e kthimit majtas, nuk ka një kombinim në funksion të sigurisë të sinjalistikës horizontale me atë vertikale, pa folur për mirëmbajtjen e semaforëve, të cilët në një pjesë të mirë të tyre punojnë sejcili për "hesap" të vet./s.s./