Prishtinë, 15 Qershor, NOA – Kreu i lëvizjes “Vetëvendosje” në Kosovë, Albin Kurti, sot gjendet i lirë sepse është liruar nga forcat e EULEX, pas komunikimit të vendimit për dënimin e tij vetëm me 9 muaj burgim, në një kohë kur ai kohë më parë ka vuajtur 11 muaj paraburgim gjatë administrimit të Kosovës nga misioni i OKB-së.
Në këtë mënyrë, mbyllet çështja e debatuar prej kohësh mes tij dhe pranisë së Bashkimit Evropian në Kosovë, e cila e akuzonte për "Tentim mbi shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm" dhe “Pengimin e personave në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare”.
Në fakt, gjatë gjykimit të djeshëm, atij i mbeti vetëm akuza e dytë dhe për këtë arriti të përfitojë një dënim vetëm me 9 muaj.
Procesi gjyqësor kundër liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje” zgjati për rreth 10 orë. Ai pas përfundimit të procesit gjyqësor deklaroi se shpallja e tij si fajtor është një mbulesë legale dhe juridike e atyre që e kanë akuzuar.
“Mendoj se shpallja fajtor që ma bënë për akuzën e dytë, nuk është kurrfarë drejtësie, por është, thjesht, tendencë e tyre për ta mbuluar legalisht për letrat e tyre të brendshme, padrejtësinë e tashme”, ka theksuar Albin Kurti.
Misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, nuk e komentoi vendimin e gjyqit, por tha se e mirëpriste punën e policisë së Kosovës, prokurorisë dhe të gjykatësve.
n.e/NOA