English

Artistët Mbështesin Ndryshimet Në Ligjin "Për Artin Skenik"

TIRANË, 15 Qershor/ ATSH- Suada Daci/- Ligji "Për Artin Skenik", që pritet të ndryshojë si rezultat i mangësive që u vunë re gjatë zbatimit të tij dhe të emërtohet ligji "Për Artin", gjeti sot mbështetjen e artistëve shqiptarë, shoqatave artistike, etj. Ndryshimi i ligjit "Për Artin Skenik" përfshin dhe dy institucione, Cirkun Kombëtar dhe Estradës nën emërtesën Teatri Kombëtar i Komedisë. Këto ndryshime u shpjeguan sot në një konferencë për shtyp nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj në Bibliotekën e Galerisë së Arteve në Tiranë, ku merrnin pjesë dhe drejtues të institucioneve artistike, artistë, shoqata artistike, etj. "Ndryshimet në ligj erdhën si rezultati i mangësive në zbatimin e ligjit "Për Artin Skenik", i cili përfshinte vetëm dy fusha të artit, teatrin dhe muzikën, ç'ka bëri që ministria të mbështetej akoma në VKM të vitit 1993-1994, tepër të vjetëruara dhe me koncept jo të standartizuar me kohën". Sipas tij, "krijimi i Qëndrës së Artit Skenik nuk arriti të zbatohej", ndaj "ka ardhur koha që Qëndra Kombëtare e Artit të bëjë të mundur që Ministria të mos jetë më një fondacion që shpërndan fondet e projekteve, por një institucion që do të merret me politikat dhe monitorimin e veprimtarisë së institucioneve të saj". Në ligjin e ri parashikohet që për institucionet e teatrove në rrethe me më shumë se 50 vjet veprimtari, 30 % nga granti i Bashkive për kulturën të kalojë tek to. Ministri i Kulturës tha se "për here të parë në këtë ligj është parashikuar që për subjekte private të artit, që regjistrohen si shoqëri tregëtare (kompani teatrore apo filarmonike), që kanë një veprimtari artistike të pasur, parashikohet subvencion nga fondi buxhetor, masa e së cilës përcaktohet me VKM, sipas modeleve të vendeve të përparuara". Ndryshimet në Ligjin e "Artit Skenik" u mbështetën edhe nga artistë dhe përfaqësues shoqatash. Kompozitori Vaso Tole u shpreh se "me këto ndryshime ky ligj kthehet nga një ligj i formës dhe mjetit, në ligj të përmbajtjes në çështjen e trajtimit të artit dhe kulturës në Shqipëri". Ai vlerësoi si një tjetër të mirë, faktin që MTKRS të jetë një institucion i politikave dhe jo që të merret me aprovimin e projekteve. "Ky ligj krijon mundësinë e decentralizmit të kompetencave të MTKRS dhe kalimit të tyre tek disa institucione", tha Tole. Drejtori i TKOB, Zhani Ciko çmoi se "MTKRS me këtë ligj për artin shkon drejt vendosjes së ekuilibrave që po e bën edhe me hartimin e politikës kulturore atë çfarë është diskutuar për stabilizimin e një politike kulturore kombëtare". Edhe kryetari i Sindikatës së Artistëve, Reshat Ibrahimi, vlerësoi se "kalimi i Cirkut të Tiranës, në cirk Kombëtar si dhe ringritja e Estradës nëpërmjet Teatrit të Komedisë, është shembulli më i mirë i artit dhe kulturës në Shqipëri, pasi këto 2 gjini arti do të riaktivizohen dhe do të bëhen më atraktive". Ndërsa regjisori Gëzim Kame kërkoi që ky ligj të shoqërohet edhe me një ligj sponsorizimi për të ndihmuar artin dhe kulturën shqiptare./s.s./
KOMENTE