English

Artisti shqiptar, Adrian Paci ekspozon “Electric Blue” në Kunsthaus Zürich

Zürich, 15 Qershor, NOA /Milena Selimi - Kunsthaus Zürich prezanton të parën ekspozitë në Zvicër të veprës së artistit shqiptar, Adrian Paci.

Video të reja dhe piktura të frymëzuara nga Pier Paolo Pasolini janë në qendër të ekspozitës "Motion Picture(s)".

Veprat paraqesin momente kryesore të njerëzimit dhe përmbledhin pasojat e konflikteve dhe shkatërrimit social.

"Electric Blue" është një punë e re në video krijuar posaçërisht për ekspozitën në Kunsthaus. Është titulli i një seriali televiziv erotik prej atij që ka qenë kanali shtetëror i Jugosllavisë, një nga pak zbavitjet e mundshme në komunizëm.

Vepra, prodhuar në bashkëpunim me Kunsthaus Graz, është realizuar në qytetin e lindjes së Pacit, Shkodër. Këtë vend ai e ka përdorur më parë për prodhimin e videos "Turn on", e cila u shfaq më 2005 në Bienalen e Venecias.

Te "Electric Blue" ai tregon historinë e një burri që përpiqet të fitojë diçka për mbijetesën e familjes ndërkohë që vendi kishte hyrë në kolaps në prag të rënies së komunizmit, më 1990. Por videoja, 15 minuta e gjatë, është më shumë se një dokument historik. Ajo merret me tema të rëndësishme për njeriun: me dështimin dhe pasojat e luftës dhe shkatërrimit social tek njerëzit; me dëshirën për t'i shpëtuar varfërisë; me dashurinë, seksin dhe pasionin.

Adrian Paci (lindur më 1969) fillimisht është shkolluar si piktor. Për këtë arsye kuratorja Mirjam Varadinis zgjodhi për ekspozitën e tij të parë në një muze zviceran një pikturë të re , "Secondo Pasolini" (2010), e cila e zhvendos mediumin e filmit në pikturë.

Për këtë vepër në përmasa të mëdha Paci në të vërtetë ka zbërthyer filmin e famshëm "Racconti di Canterbury" (1972) të Pier Paolo Pasolinit duke shkëputur kuadro të veçanta dhe duke i pikturuar ato. Ky pozicion - ndërmjet imazhit filmik dhe kuadrit të ngrirë, filmit dhe pikturës - është karakteristikë për veprën e Pacit.

Ai ka krijuar punë të ngjashme ku i referohet më herët në karrierën e tij Pier Paolo Pasolinit, dhe është e logjikshme që kërkimi i ri i artistit në pikturë dhe film të ketë në plan të parë regjisorin e njohur, i cili i referohet në filmat e tij pikturës së Rilindjes Italiane.

Ekspozita paraqet edhe punë më të hershme të Pacit "Albanian Stories" (1997) dhe "The Last Gestures" (2009), video instilacioni i tij me katër pjesë. Aty është prekur largimi i nuses nga familja prindërore, një ritual i rrënjosur në kulturën shqiptare. Në fakt, Paci nuk është aq i interesuar për paraqitjen e një realiteti të veçantë të vendlindjes së tij se sa në tiparin e ritualit të gjesteve që përmban ky zakon.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE