Berisha: Liberalizimi I Vizave, Po Plotësojmë Të Gjitha Kushtet
- Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e Vizave -
TIRANË, 15 Qershor/ATSH-Maela Marini/- Procesi i liberalizimit të vizave ecën mbi bazën e plotësimit të kushteve, ndaj dhe qeveria do të plotësojë çdo kusht që qytetarët shqiptarë të gëzojnë lirinë e lëvizjes në hapësirën Shengen.
Komiteti Ndërministror për Liberalizimin e Vizave mori sot në shqyrtim masat e marra për plotësimin e kërkesave të bëra nga Komisioni Europian, pas vendimit të tij për të propozuar liberalizimin e vizave me Shqipërinë.
Duke drejtuar këtë mbledhje, Kryeministri Sali Berisha theksoi përpjekjet që po bëhën për zbatimin e strategjisë për riintegrimin e të kthyerve, si dhe kërkoi që të intensifikohet sensibilizimi i qytetarëve shqiptarë mbi domethënien e heqjes së vizave, një proces që pritet të ndodhë brenda këtij viti.
Kryeministri Berisha e konsideroi themelore problemin e të rikthyerve, një çështje që i është dërguar Shqipërisë pas plotësimit të udhërrëfyesit. Kreu i Qeverisë vuri në dukje se "strategjia përcakton qëndrimin e institucioneve shqiptare ndaj këtyre personave". Sipas tij, "ky qëndrim bazohet gjithnjë në të drejtat dhe liritë e personave dhe në trajtimin njerëzor të tyre, në një kohë kur rikthimi në vendlindje është i pashmangshëm dhe i detyrueshëm nga ana ligjore".
Një çështje e rëndësishme, e ngritur nga Kryeministri Berisha në lidhje me zbatimin e kësaj Strategjie, është parashikimi serioz dhe i saktë i buxhetit nga çdo institucion dhe agjenci që lidhet me zbatimin e saj.
"Të bëhet ç'të jetë e mundur për rialokime të brendshme dhe në rast se rialokimi do të jetë i pamjaftueshëm, sigurisht qeveria do të ndërhyjë me fonde të tjera", tha Kryeministri Berisha.
Kreu i Qeverisë i kërkoi Ministrisë së Financave që të lëvrojë të gjithë fondin e parashikuar për Ministrinë e Brendshme, në mënyrë që sistemet MEMEX dhe FRONTEX të marrin të gjitha kapacitet e nevojshme të funksionimit të tyre, duke kërkuar që kjo çështje të zgjidhjet brenda ditës së nesërme.
Duke vlerësuar fillimin e fushatës sensibilizuese për qytetarët shqiptarë mbi domethënien e heqjes së vizave, Kryeministri sugjeroi që të shihet mundësia që spoti publicitar për këtë qëllim të transmetohet edhe në media lokale.
Në muajin korrik pritet të vijnë në Tiranë inspektorët e Komisionit Evropian për të parë në vend plotësimin e tre kërkesave shtesë të lëna nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave, strategjia për riintegrimin e të kthyerve, zbatimi i ligjit të luftës kundër korrupsionit dhe zbatimi i ligjit antitrafik.
Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha kërkoi seriozitetin dhe angazhimin maksimal të ekspertëve shqiptarë, në bashkëpunimin me homologët e tyre të Komisionit Europian./s.s./